Allahu xh.sh. i ka urdhëruar myslimanët që të studiojnë nga astronomia ato që mund të dinë, për të përcaktuar kohët e adhurimeve, që zakonisht kanë lidhje me muajt hënorë në përputhje me ligjin islam.
Allahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj). Thuaj: Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh”. (El Bekare, 189).
Hëna e re është shenjë për njohjen e fillimit të muajve të haxhit, gjithashtu është shenjë përcaktimi, kur është fjala për kefaretin e dhiharit (dhihar është kur burri i thotë gruas së tij për mua je si nëna ime) dhe për afatin e pritjes së gruas pas shkurorëzimit ose pas vdekjes së burrit të saj, për t’u martuar.
E, për sa i përket njohjes së muajit të Ramazanit, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjëroni me pamjen e hënës së re dhe përfundoni (bëni Bajram) me pamjen e saj, dhe, nëse ka ndonjë mjegullinë (pengesë dhe është e pamundur të shihet kjo), atëherë plotësoni ditët e muajit Shaban 30 ditë (muaji Shaban është muaji para muajit Ramazan)”.(1)
Muaji hënor mund t’i ketë 29 ose 30 ditë. Për këtë fukahatë kanë thënë: “Hulumtimi i pamjes së hënës së re të Ramazanit në natën e 30 të Shabanit, është farz kifaje (obligim i përgjithshëm) për myslimanët, dhe kjo vlen gjithashtu edhe për hulumtimin e hënës së She valit në natën e 30 të Ramazanit. Kush e ka parë hënën e re të muajit Ramazan, pavarësisht nëse është imam (prijës) apo prej njerëzve të tjerë (xhematit), detyrohet të njoftojë kadiun e ligjshëm për pamjen e saj dhe, duke u bazuar në këtë njoftim, kadiu mund t’i thërrasë njerëzit për të nisur agjërimin e muajit të Ramazanit, po, nëse kadiu vendos të mos pranojë dëshminë e tij (për shkak se qielli nuk ka qenë i kthjellët dhe përveç tij askush tjetër nuk do ta ketë parë hënën e re), atëherë detyrohet për të agjëruar vetëm dëshmitari, mbështetur në thënien e Pejgamberit a.s.: “Agjëroni me pamjen e hënës së re dhe përfundoni agjërimin me pamjen e hënës së re”.
Nga ky hadith obligohet vetëm ai që e ka parë hënën e re, por jo të tjerët. Nëse ai nuk e agjëron atë ditë, atëherë duhet ta bëjë kaza pa kefaret (dënim), sepse dënimi anulohet në bazë të dyshimit.
Kadiu e pranon se është dukur hëna e re e Ramazanit, nëse është qielli i kthjellët, në bazë të dëshmisë së burrave apo të grave dhe nëse ai është bindur për vërtetësinë e dëshmisë së tyre.(2)
Është transmetuar prej Ebu Hanifes se mjafton dëshmia për pamjen e hënës së re e vetëm dy dëshmitarëve. Këtë e ka zgjedhur edhe autori i librit “El Bahr”, i cili ka thënë: “Duhet të punohet në bazë të këtij transmetimi, sidomos në këtë kohë kur popullata janë bërë përtacë (të pa interesuar) për të hulumtuar nëse është shfaqur hëna e re.” Ndërsa dëshmia e një dëshmitari të drejtë, burrë a grua qoftë, i lirë a rob, pranohet kur në qiell ka pengesa nga retë, mjegullat apo pluhuri (sepse mund të lëvizin retë nga vendi i hënës dhe rastësisht të shihet ajo prej një njeriu dhe jo prej të tjerëve).
Transmetohet nga Ibën Abasi, i cili ka thënë: “Erdhi te Pejgamberi a.s. një fshatar dhe i tha: “Unë e kam parë hënën e re (të muajit Ramazan)”, e Pejgamberi a.s. i tha: “A dëshmon ti se nuk ka Zot përveç Allahut?” Ai tha: “Po.” Pejgamberi a.s. vazhdoi: “A dëshmon se unë jam i dërguar i Allahut?” Ai tha: “Po.” Atëherë Pejgam beri a.s. i tha Bilalit: “Njoftoji njerëzit le të agjërojnë.”(3)
Kjo dëshmi pranohet edhe për shkak se i shtyn njerëzit të nxitojnë në ibadet-adhurime.
Ndërkaq, kadiu nuk e pranon dëshminë e një dëshmitari për dalje nga agjërimi (përfundimi i Ramazanit), nëse në qiell ka pengesa, por për këtë medoemos duhen dy burra ose një burrë e dy gra duke plotësuar kushtin e caktuar të dëshmisë, ngase me këtë dëshmi lidhet dobia e dëshmitarit, që është përfundimi i agjërimit.
Nëse dëshmitari për hënën e përfundimit të agjërim it është vetëm një dhe kadiu refuzon që të pranojë dëshminë e tij, ai (dëshmitari) nuk ka të drejtë të mos agjërojë për arsye të preferimit të tij. Transmetohet nga Ebu Hanife se fillimi i Dhul hixhes është sikur fillimi i muajit të Ramazanit, ngase ka ndërlidhje me fillimin e adhurimit, e kjo është paraqitja e fillimit të haxhit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dy muajt e Bajrameve nuk shkurtohen: Muaji i Ramazanit dhe ai i Dhul hixhes.”(4)
Is`hak ibën Suvejd ka thënë: “Kuptimi i këtij hadithi është se edhe nëse (ndonjëri prej tyre) nuk i ka 30 ditë, ai është i plotë.” Edhe Buhariu thotë: “Jo, nuk bashkohen të dy muajt (i Ramazanit dhe i Haxhit) të paplotësuar (do të thotë me nga 29 ditë).”
Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Ato vite që kemi agjëruar muajin e Ramazanit me Pejgamberin a.s. me nga 29 ditë, janë më shumë sesa ato që kemi agjëruar me nga 30 ditë.”
Disa hufadhë (prej sahabëve) kanë thënë: “Pejgamberi a.s. ka agjëruar nëntë Ramazan, dhe prej tyre vetëm dy nga 30 ditë.” Kur shihet hëna në një vend, pavarësisht nëse është fjala për fillimin e agjërimit apo për përfundimin e tij, obligohen edhe vendet e tjera myslimane të pasojnë atë vend, duke marrë parasysh se myslimanët janë një umet-bashkësi fetare, pavarësisht nga largësia që i ndan vendet e tyre. Ky është mendim i Ebu Hanifes, Malikut dhe Ahmedit.
Ibën Mundhir esh Shafiu ka thënë: “Shumica e fukahave thonë: “Kur vërtetohet me lajmin e njerëzve se populli i një prej qyteteve e ka parë hënën e re para tyre, këta të fundit duhet të bëjnë kaza atë që nuk e kanë agjëruar.” Ky është mendimi i Malikut, Shafiut, Ahmedit dhe as`habu Re`jit.
Transmetohet prej Aishes r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fitër Bajrami është dita kur njerëzit përfundjnë agjërimin, dhe Kurban Bajrami është kur njerëzit presin kurban”. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë: hasenun-garib).
Disa prej dijetarëve këtë hadith e kanë komentuar duke thënë se kuptimi i këtij agjërimi dhe përfundimi i tij është që të jetë me xhemat (bashkërisht), nga një numër i madh njerëzish.
Mirëpo mosmarrja parasysh e ndryshimit midis vendeve (lindjes së hënës), ka të bëjë me vendet që janë afër njëra-tjetrës. Kur ato janë larg midis tyre, atëherë ajo duhet marrë në konsideratë për shkak të ndryshmeve të gjatësisë gjeografike në mes vendeve të largëta; kjo sidomos në medhhebin e Imam Shafiiut r.a.. Ibën Abidini r.a. ka caktuar largësinë sipas së cilës ndryshon koha e lindjes së hënës, prej një muaj e më shumë udhëtim, – transmetuar nga “El Xhevahir”, ndërsa në komentin e “Minhaxhit” nga Remliu, ajo nuk bën të jetë më pak se 24 fersahë.
Ibën Rushdi ka thënë: “Ata janë unikë se kjo nuk mund të merret në konsideratë për vendet e largëta, siç janë Andaluzia (Endelusi) – Spanja dhe Hixhazi – Arabia Saudite. Atëherë po kuptohet se mendimi i përgjithshëm i imamëve (të medhhebeve) është mos marrja parasysh e ndryshimit të (kohës) të vendeve për obligimin e agjërimit, sidomos të vendeve të afërta, në të cilat nuk ndryshon shumë horizonti i tyre.”
Lajmi mund të përcillet në mënyrë gojore ose me anë të shkresës. Për sa i përket lajmit gojor, ai ndodh kur një njeri i sinqertë të lajmërojë dikë tjetër se ai e ka parë hënën e re, ose ai lajmëron dikë se atë e ka lajmëruar një njeri tjetër i drejtë dhe i sinqertë se e paska parë hënën, ose lajmëron se një grup njerëzish e paskan parë atë.
Njësoj është si lajmi i dhënë gojarisht edhe lajmi i dhënë përmes fonogramit, se ajo që dëgjohet nga ky aparat është vetë zëri i folësit, i imituar përmes këtij aparati, pa kurrfarë ndryshimi. Kur folësi është i drejtë (sinqertë) dhe i njohur për dëgjuesin e lajmit, atëherë ky i fundit obligohet fetarisht për të agjëruar. I këtillë është edhe lajmi me telefon, nëse dihet folësi dhe njihet zëri i tij, dhe i besohet lajmit të tij, agjërimi bëhet i detyrueshëm.
E për sa i përket lajmërimit me shkresë, siç ndodh kur i shkruan një njeri i sinqertë dikujt tjetër, se ai e ka parë hënën, ose se një i sinqertë e ka lajmëruar atë se e paska parë hënën dhe ia dërgon këtë shkresë nëpërmjet një të dërguari të posaçëm ose nëpërmjet postës publike, – nëse pranuesi i shkresës e njeh shkrimin e dërguesit ose vulën e tij dhe njeh drejtësinë e tij, obligo het për të agjëruar.
Si lajmi me anë të shkresës, ashtu është edhe lajmi me shkresë telegrafike, pa marrë parasysh se çfarë është aparati, i linjës apo ajror. Ashtu siç është lajmërues në mënyrë gojore, me të gjitha llojet e përmendura më sipër, vetë folësi dhe i zoti i zërit, e jo as aparati i fonogramit e as i telefonit, po kështu lajmërues me anë të shkresës, është vetë dërguesi, i cili është kusht të jetë i sinqertë. Nëse vërtetohet se shkresa ose telegrami ka arritur prej personit të drejtë dhe të sinqertë, atëherë obligohet veprimi sipas atij lajmi. Veprimi mbështetur në lajmin me shkresë është i njëjtë me lajmin gojor, në çështjet fetare. Kurse përcjellësi i shkresave nuk është vetë lajmërues dhe as që duhet të merret parasysh, pavarësisht nëse është i drejtë apo jo, mysliman apo jomysliman. Postieri dhe nëpunësi në telegraf, këta janë ndërmjetësues në përcjelljen e lajmit prej dërguesit pa qenë asnjë prej tyre dërgues as lajmdhënës.(5)
__________________________
(1) Transmeton Buhariu dhe të tjerët.
(2) Vërtetësia e hënës së re mund të bëhet me dëshminë e atij që ka parë hënën e re ose dëshmi e dëshmisë së dikujt apo dëshminë e gjykatësit ose nga përhapja e lajmit në çfarëdo mënyre.
(3) Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nisaiu dhe Ibni Maxhe.
(4) Transmeton Tir midhiu.
(5) Min risaleirshad el halk ilel amel bi haberi el berki, li shejh Xhemaludin el Kasemij
Vehbi Sulejman Gavoçi
Dituria Islame 319
/islamgjakova
