Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë simbolike për nesër në ora 13:00 para Kuvendit të Kosovës, lidhur me reagimet dhe polemikat e fundit për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u shfaq në sheshet e Prishtinës.
Ndërkohë është bërë e ditur se të premten protesta pritet të jetë më e madhe.
Paralajmërimi për protestë vjen pas kritikave të shumta publike për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë.
Ndërkohë, organizatat përgjegjëse për realizimin e ekspozitës, Admovere dhe Integra, kanë reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kërkuar falje për situatën e krijuar.
Në reagimin e tyre, ato kanë theksuar se qëllimi i vetëm i ekspozitës ka qenë nderimi i viktimave civile të luftës dhe ruajtja e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.
“U kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar. Në asnjë moment nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.
Tutje, ato kanë bërë thirrje për ndaljen e sulmeve dhe linçimeve, duke kërkuar mirëkuptim nga publiku.
