Viti shkollor në Maqedoni përfundoi “online”, nuk dihet se si do të vazhdojë mësimin nga shtatori

Të enjten përfundoi viti shkollor 2020/2021 por, mbetet dilema nëse i njëjti ishte i suksesshëm apo jo. Prindërit dhe ministria kanë vlerësime krejtësisht të ndryshme.

 

Për prindërit ky vit, që kur u mor vendim që fëmijët e tyre mësimin ta ndjekin në distancë, mund të llogaritet i dështuar. Në shtator, sipas tyre, fëmijët duhet të kthehen patjetër në bankat e shkollës.

Sigurisht se fëmijët nuk mund të mësojnë nëse nuk shkojnë në shkollë. Kur janë online nuk kanë kohë ata të merren me mësime, me veprat apo me detyrat që i kanë. Dalin e shëtisin, nuk merren me atë. Patjetër duhet të jetë mësim normal. Kjo është lojë që s’mund ta kuptojë askush.”

“Mendoj se është mirë që të kthehen përsëri në shkollë me prezencë fizike. Edhe mësimi është më cilësor. Është më në rregull. Edhe nxënësve poashtu u mungon shkolla, u mungon shoqëria.”

“Unë jam dakord që fëmijët të kthehen me prezencë fizike në shkollë. Mjaft ishte. Nuk mundet ashtu, dikush flenë, e mbyll laptopin., “jo s’kam rrjet”, në orën 10 hyjnë në mësim”

Se si do të nisë viti i ardhshëm shkollorë 2021/2022 ende nuk dihet. Ministrja e Arsimit u uroi nxënësit për përfundimin e këtij viti shkollorë, të cilin vazhdon ta vlerësojë si sfidues, por se sfidat, sipas saj, janë tejkaluar me sukses.

“Kur të kemi informacion zyrtarë, do ta kumtojmë të njëjtin dhe kjo s’do të ndodhë në gusht, por shumë më herët. Ky vit shkollorë ishte sfidë, të cilën të gjithë bashkë e tejkaluam me sukses”, tha Milla Carovska.

Dragana Spasevska, nga Iniciativa qytetare “ Libra dhe mësim duhet të ketë”, thotë se ajo se sa i suksesshëm ishte viti shkollorë që përfundoi, do të shihet kur nxënësit të kthehen fizikisht në shkolla, pasi sipas saj atëherë do të shihen qartë mangësitë që ka shkaktuar mësimi në distancë.

“Shpresojmë dhe lutemi që nga shtatori do të kthehemi në funksionimin normal, pra në bankat shkollore. Atëherë do të shfaqet problemi, do të shohim ngecjen e nxënësve. Vet jemi dëshmitarë se sa e kanë shfrytëzuar fëmijët këtë kanë kopjuar, ka pasur situata kur nëna fshihet nga kamera e pajisjes që t’i ndihmojë fëmijës, gjë që nuk është në rregull. Dijen fëmija duhet tregojë pa ndihmën e dikujt tjetër. Këtu kemi pasqyra joreale për procesin arsimorë“, theksoi Dragana Spasevska, Iniciativa qytetare “Libra dhe mësim duhet të ketë”.

Vendimi për mësim në distancë, i imponuar nga pandemia e COVID-19, u mor më 13 mars të vitit të kaluar. Shumë fëmijë në zona më të thella të vendit s’kishin internet, pajisjet e nevojshme teknologjike, oraret për mësim onlinë nuk respektoheshin, vlerësimi i nxënësve linte për të dëshiruar, platforma për mësim onlinë nuk funksionoi siç pritej. Këto mangësi janë evidentuar edhe në raportin vjetorë të Avokatit të Popullit për vitin 2020, ku thuhet se me mësimin në distancë u shkel e drejta kushtetuese e fëmijëve për të mësuar pasi ata që nuk kishin pajisje elektronike mbetën jashtë procesit mësimor.