Vjenë – Evropianët refuzojnë propozimet iraniane në negociatat bërthamore

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe kryenegociatori i Iranit, Ali Bagheri, deklaroi se propozimet për heqjen e sanksioneve dhe aktivitetet bërthamore të vendit të tij, të cilat Teherani i paraqiti gjatë bisedimeve bërthamore në kryeqytetin Vjenë të Austrisë, nuk u pranuan nga palët evropiane të marrëveshjes.

Ky vlerësim erdhi gjatë një prononcimi për televizionin shtetëror iranian, ku Ali Bagheri dha informacione rreth negociatave ku u diskutua zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore, zyrtarisht e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), si dhe kthimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tërheqjes së tyre të njëanshme nga marrëveshja në maj 2018.

“Është e vërtetë që pala evropiane nuk është e kënaqur nga propozimet tona, por e rëndësishme është se këto propozime bazohen në parimet e përbashkëta mes dy palëve. Ata (evropianët) theksuan se propozimet tona nuk përputhen me idetë e tyre. Unë u thash se kjo gjë është normale, pasi në bisedime ne paraqesim gjëra në përputhje me interesat dhe politikat tona e jo propozime që u përshtaten opinioneve të tyre”, u shpreh ai.

Kryenegociatori bërthamor iranian vuri në pah se pala evropiane gjithashtu mund t’i paraqesë propozimet e saj me kusht që ato të jenë të bazuara në parimet e përbashkëta.

“Çdo propozim që nuk bazohet në një terren të përbashkët, nuk është propozim për negociata dhe marrëveshje, por është një propozim për dialog me rezultat të papërcaktuar”, saktësoi Bagheri.

Negociatat në fjalë, gjatë të cilave u trajtuan sërish kthimi i SHBA-së në marrëveshje bërthamore me Iranin dhe zbatimi i plotë i saj, rifilluan më 29 nëntor pas një pauze gati 5-mujore.

Takimet u zhvilluan në kryeqytetin austriak me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani, nën kryesimin e nënsekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit politik të Shërbimit të Marrëdhënieve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Enrique Mora. Ato u ndërprenë deri në javën e ardhshme për shkak të pamundësisë së palëve për të arritur një marrëveshje.

Evropianët argumentojnë se delegacioni iranian ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në tekstin e draftit të marrëveshjes, mbi të cilin palët kishin rënë dakord në negociatat e mëparshme, duke e akuzuar Teheranin për mbajtje të një “qëndrimi të ngurtë” në bisedime.

Shtetet e Bashkuara, të cilat Irani refuzon t’i takojë drejtpërdrejt, marrin pjesë indirekt në takime. /trt