Ballina Artikuj “Vlera e Kuranit qëndron në faktin se u la njerëzve lirinë për...

“Vlera e Kuranit qëndron në faktin se u la njerëzve lirinë për të qenë kreativ, e jo rrugën e robërisë.”

Muhammed Ikbali e trajton Kur’anin nga këndvështrimi i marrëdhënies së tij me zhvillimin e mendimit njerëzor dhe me aftësinë e njeriut për të menduar, vepruar dhe krijuar. Sipas tij, kuptimi i tekstit fetar duhet të mbetet i lidhur me aftësinë e njeriut për ixhtihad dhe për t’u përballur me ndryshimet e vazhdueshme.
Koncepti i Ikbalit lidhet me kulturën e imitimit dhe ngurtësisë që, sipas tij, kishte mbizotëruar në mendësinë lindore gjatë periudhave të rënies së saj. Ngurtësia këtu nuk nënkupton vetëm një gjendje materiale, por edhe një gjendje psikologjike dhe intelektuale, në të cilën individi humb pavarësinë dhe aftësinë për të vepruar, duke u mjaftuar me përsëritjen dhe imitimin e së kaluarës.
Mendja, në vend që të përballet me vështirësinë e kërkimit dhe të risisë, zëvendëson hulumtimin me ndjekjen mekanike të asaj që është thënë më parë.
Muslimani duhet të nxjerr nga teksti një energji të ripërtërirë dhe duhet t’i qaset ajeteve si çelësa të përgjithshëm për të kuptuar ligjet e natyrës dhe lëvizjen e historisë.
Muslimani duhet të qëndroi përballë tekstit në një marrëdhënie aktive dhe dialoguese. Ai e lexon atë duke pasur parasysh ndryshimet e realitetit dhe përpiqet të nxjerrë prej tij përgjigje ndaj sfidave të kohës dhe të mjedisit ku jeton.
Prandaj, Ikbali synon ta rindërtojë vetëdijen njerëzore duke e lidhur qëllimin shpirtëror me veprimin konkret, përparimin shkencor dhe zhvillimin historik.

Hoxhë Halil Avdulli