Volkswagen do të investojë në miniera në përpjekje për t’u bërë furnizues global i baterive

Volkswagen planifikon të investojë në miniera për të ulur koston e qelizave të baterive, për të përmbushur gjysmën e kërkesës që merr dhe për t’ua shitur klientëve të palëve të treta, tha anëtari i bordit të prodhuesit të makinave përgjegjës për teknologjinë.

Strategjia e Volkswagen përputhet me një prirje më të gjerë të prodhuesve të makinave që kërkojnë kontroll më të madh mbi pjesët e zinxhirit të furnizimit që tradicionalisht u janë lënë palëve të treta, nga gjenerimi i energjisë deri te burimet e lëndëve të para, pasi ata konkurrojnë për burime të pakta që u nevojiten urgjentisht për të përmbushur objektivat e elektrifikimit, transmeton Telegrafi.

Prodhuesi më i madh i makinave në Evropë dëshiron që njësia e saj e baterive PowerCo të bëhet një furnizues global i baterive, si dhe të përmbushë gjysmën e kërkesës së vet me fabrika kryesisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut, tha Thomas Schmall për Reuters në një intervistë.

PowerCo do të fillojë me dërgimin e qelizave në Ford për 1.2 milionë automjetet që prodhuesi amerikan i makinave po ndërton në Evropë në platformën elektrike MEB të Volkswagen, tha ai.

“Pengesa për lëndët e para është kapaciteti i mihjes – kjo është arsyeja pse ne duhet të investojmë drejtpërdrejt në miniera”, u shpreh ai.