Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pozitivisht ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke e cilësuar situatën si një lajm të mirë për vendin.
Ursula von der Leyen theksoi se kalimi i pushtetit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale, ka qenë paqësor.
“Falë këtij zhvillimi pozitiv, Bashkimi Evropian do të ecë përpara me procesin e heqjes së masave ndaj Kosovës:, ka theksuar ai.
Sipas von der Leyen, BE planifikon të ofrojë 216 milionë euro ndihmë financiare, ndërsa 205 milionë euro pritet të lirohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndryshe, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023, si pasojë e tensioneve në veri.
Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi njoftoi të martën se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim të BE-s, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka thënë ai.
