Vrasësi i fëmijëve në Teksas i paralajmëroi sulmet në rrjete sociale

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka thënë se vrasësi i 19 fëmijëve dhe dy mësimdhënëseve në një shkollë fillore në këtë shtet, ka paralajmëruar disa minuta më parë në rrjete sociale se po shkonte për ta sulmuar një shkollë.

Abbott ka thënë se 18-vjeçari, Salvador Ramos, ka përdorur një armë AR-15 të martën, për të kryer sulmin në shkollën “Robb Elementary School”, në Uvalde, njofton Associated Press të mërkurën.

Rreth 30 minuta para sulmit, Ramosi ka bërë tri postime në rrjetet sociale. Sipas guvernatorit Abbott, Ramosi ka shkruar se do të vriste gjyshen e tij, pastaj në një postim tjetër tregoi se e ka qëlluar atë dhe në fund ka shkruar se do të shkonte të gjuante me armë edhe në një shkollë fillore.

Sipas policisë, 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga sulmi i Ramosit.

Sulmuesi raportohet se e kishte blerë armën, me të cilën ka vrarë fëmijët vetëm disa ditë para sulmit, pak pas ditëlindjes së tij të 18-të.

Në mesin e të vrarëve është një 10-vjeçare, Eliahna Garcia, të cilës i pëlqente shumë të këndonte, vallëzonte dhe të luante basketboll, një shok i klasës së katërt, Xavier Javier Lopez, i cili kishte pritur me padurim një verë noti, dhe një mësuese – Eva Mireles – me përvojë 17 vjeçare, bashkëshorti i së cilës është oficer policie.

Leter Christopher Olivarez i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit tha për CNN se të gjithë të vrarët ishin në të njëjtën klasë, të klasës së katërt.

Vrasësi “e barrikadoi veten duke mbyllur derën dhe filloi të qëllonte fëmijët dhe mësuesit që ishin brenda asaj klase”, tha Olivarez.

Oficerët e policisë më pas hynë në klasë dhe vranë personin e armatosur. Policia dhe të tjerët që iu përgjigjën sulmit gjithashtu dolën përreth duke thyer xhamat e shkollës për t’u mundësuar nxënësve dhe mësuesve të arratiseshin.

Sulmi në qytetin me mbizotërim të popullatës latine, Uvalde ishte më vdekjeprurësi në ndonjë shkollë në SHBA, që kur një person i armatosur vrau 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur në Sandy Hook Elementary në Newstown, Connecticut, në dhjetor të vitit 2020. /koha