Ballina Lajmet Kosovë Vrasja e Ivanoviqit: Policia nuk po arrin të kapë Milan Radojiçiq,...

Vrasja e Ivanoviqit: Policia nuk po arrin të kapë Milan Radojiçiq, ende në arrati

Njësia Speciale e Kosovës ka ndërmarrë një aksion sot në veri të vendit.

Cak i Policisë ishin personat që dyshohet se ndërlidhen me vrasjen e ish-liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, shkruan lajmi.net.

I arrestuar në operacionin e sotëm është V.B, djali i eprorit të lartë të policisë në veri, Zheljko Bojiq.

Nga ana tjetër nën pranga mbeti edhe Rade Basara, i cili dyshohet për fshehjen e provave gjatë hetimit për vrasjen e Ivanoviqit.

Policia e Kosovës edhe në nëntor të vitit të kaluar kishte ndërmarrë një aksion që ndërlidhej me vrasjen e Ivanoviqit. Atë kohë, tre persona ishin arrestuar.

Mirëpo, në të dy aksionet e Policisë, nën pranga nuk përfundoi i dyshuari kryesor në këtë rast, Milan Radojiçiq.

Ndonëse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte lëshuar fletë-arrest për të, Radojiçiq ka vazhduar të dalë haptaz në aktivitete ku të pranishme janë edhe mediat.

Radojiçiq që tash thuhet se jeton në Serbi, vetëm para pak ditësh u shfaq në ndeshjen futbollistike e cila nuk u lejua të zhvillohej në Kosovë mes Trepçës ilegale dhe Crvena Zvedës.

Për më tepër, Radojiçiq vazhdon që në publik të dal si kryetar i Federatës Paralele të Futbollit të Kosovës.

Ironia e Radojiçiq do të kapte kulmin pak kohë para se ai të dilte haptaz në publik, kur do të ushtronte padi ndaj politikanes serbe, Rada Trajkoviq lidhur me deklaratat e kësaj të fundit që fajësonin atë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Radojiçiq në Kosovë njihet si “bosi i krimit” në veri, ndërkaq që mban edhe funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe.

Në të kaluarën Radojiçiq kishte raporte mjaft të mira me politikanët kosovarë, sidomos me ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj me të cilin ishte takuar disa herë në zyrën e tij.

Exit mobile version