Vuçiq: Askush nga Kosova s’ka çka të kërkoj në veri, sot u shkelën marrëveshjet e Brukselit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thirrur sonte një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën ka folur për vizitën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë sot veriut të Kosovës.

Në këtë konferencë, Vuçiq ka thënë se nga 26 marsi e deri më sot, Kosova ka kërcënuar për herë të tretë paqen dhe qetësinë e serbëve, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Kosova po e bën një gjë të tillë për të destabilizuar Serbinë dhe serbët atje.

Vuçiq ka vlerësuar se kjo sjellje e autoriteteve nga Kosova po bëhet pa të drejtë dhe në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Po ashtu, ai ka thënë se Prishtina në këtë drejtim e ka edhe mbështetjen e aleatëve kryesor të perëndimit.

“Sot ata ishin gjatë gjithë ditës në veri për të bërë një shëtitje të thjeshtë, kanë pirë kafe dhe u kthyen sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ata nuk po i respektojnë marrëveshjet e  Brukselit dhe për më tepër e kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në operacion u përfshinë qindra pjesëtarë të njësisë ROSU, të gjithë të armatosur me armë të gjata. I mbyllën të gjitha rrugët për vetëm katër persona asnjë nga këto nuk kishte arsye të ndodhte”, ka thënë tutje Vuçiq, duke shtuar se politikanët kosovarë nuk kanë cka të kërkojnë në veri.