Vuçiq: Më 18 gusht me Kurtin në Bruksel, por nuk pres asgjë nga ky takim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se do të shkojë në Bruksel në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili jozyrtarisht është planifikuar për 18 gusht, por thotë se nuk pret asgjë nga bisedimet me Kurtin.

Presidenti serb duke komentuar ngjarjet e 30 korrikut tha se “kemi kaluar dy ditë të vështira dhe kam frikë se do të kalojmë shumë ditë të vështira”.

Madje, presidenti serb po pretendon se janë të tjerët, ata që duan ta shfrytëzojnë luftën në Ukrainë, derisa ai dhe vartësit e tij ditëve të fundit janë kërcënuar me luftë.

“Thelbi i problemit është se disa në rajon mendojnë se kur ka histeri të përgjithshme për shkak të luftës në Ukrainë, ata mund të realizojnë interesat e tyre”, tha Vuçiq për RTS dhe shtoi se ne ishim një hap larg fatkeqësisë, transmeton Telegrafi.

Ai ka përmendur se serbët nga Kosova nuk kanë dashur t’i heqin barrikadat dhe se ai ka bërë gjithçka që ka mundur për të ruajtur paqen.

Vuçiqi thotë se më 18 gusht do të shkojë në Bruksel në takim me Kurtin, ndonëse nuk pret asgjë nga ai takim, pasi siç thotë ai, nuk di se për çfarë mund të diskutohet me Kurtin.

“Do të shkoj në Bruksel, nuk e kam të vështirë. Nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se është e mundur të ruhet paqja me Kurtin, mendoj se e ka shumë gabim. E di me kë kam të bëj”, ka thënë Vuçiq.

Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa ka shtuar se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, nga kabineti i tij ka ardhur konfirmimi se një gjë e tillë mund të ndodh gjatë këtij muaji.

Nga Zyra e Kryeministrit thonë se kryeministri Kurti vazhdimisht ka qenë i gatshëm për dialog, derisa akuzojnë Serbinë për refuzim të dialogut.

“Siç e dini, takimi i paraparë të mbahej me 19 korrik dështoi sepse Beogradi zyrtar refuzoi që ai të zhvillohet duke kërkuar që një takim i tillë të shtyhet për më shumë se një muaj. Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale”, ka thënë për Telegrafin, Përparim Kryeziu – zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë ai thotë se një takim i mundshëm në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit mund të mbahen në fund të këtij muaji.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”, tha Kryeziu.