Vuçiq në Sremska Mitrovicë: Revolucioni me ngjyra dështoi, Serbia fitoi

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se revolucioni me ngjyra ka dështuar, se Serbia ka fituar dhe se Serbia nuk do të mposhtet kurrë, raporton Anadolu.

Në Sremska Mitrovicë është mbajtur tubimi i titulluar “Takohemi në Sretenje”, me rastin e shënimit të Ditës së shtetësisë serbe. Në tubimin në Sremska Mitrovicë, me aklmacion u miratua Deklarata e Popullit për Vojvodinën.

“Qëllimi i atyre jashtë që organizuan gjithçka nuk është të rrëzojnë Vuçiqin, por Serbinë. Qëllimi është ta shkatërrojnë Serbinë, sepse duan që Serbia të mos jetë e avancuar ekonomikisht, duan që Serbia të jetë e dobët në rajon, duan që Serbia të mos jetë në gjendje dhe të mos lejohet të ndihmojë Republikën Srpska, duan një Serbi që gjunjëzohet dhe kërkon falje për krimet e kryera kundër popullit të saj”, tha Vuçiq, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të mbledhur në Sremska Mitrovicë.

Ai gjithashtu tha se Serbia është “kërcënuar nga jashtë dhe sulmuar nga brenda”.

“Unë nuk jam i njëjti njeri si 110 ditë më parë. Që nga rrëzimi (i murit të stacionit hekurudhor në Novi Sad) dhe bastisja në Kuvendin e Qytetit të Novi Sadit më 3 nëntor dhe gjithçka që ata kanë bërë në 110 ditët e fundit”, tha Vuçiq.

Ai tha se Serbia ka tre vjet që i kërkohet vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe theksoi se Serbia është një shtet sovran që vendos vetë se kur dhe kujt t’i vendosë sanksionet.

“Ne nuk duam të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Ne duam miqësi me Kinën. Ne duam të shkojmë në Evropë. Por ju duhet të na respektoni po aq sa ne ju respektojmë juve. Dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër”, theksoi Vuçiq.

Ai theksoi se për Serbinë do të luftojë siç “nuk e ka ëndërruar askush, me një forcë më të madhe se kurrë”.

“Revolucioni me ngjyrë ka dështuar, le ta dinë ata kudo, Serbia ka fituar dhe ju kurrë nuk do ta fitoni Serbinë”, theksoi Vuçiq.

Më tej, ai theksoi se qeveria e re serbe nuk do të jetë ajo që do të dëshironin “ata që duan të bëjnë një revolucion me ngjyrë”. Sipas tij, qeveria e re do t’i “mbrojë interesat e Serbisë dhe do të ketë të paktën 50 për qind ministra të ri, sepse kemi nevojë për ndryshime”.

Ai gjithashtu tha se kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe u bëri thirrje që të mendojnë sërish për të ardhmen e tyre.

“I bëj thirrje edhe një herë studentëve që të mendojnë për të ardhmen e tyre. Besimi im tek ata është shumë më i madh se tek ata që i kanë detyruar ta bëjnë këtë. Shpallni fitoren, ju janë plotësuar të gjitha kërkesat, kthehuni në vendet tuaja, këtij vendi i duhet dituri”, tha Vuçiq.

“Më shkatërruat dhe ma hoqët buzëqeshjen. Nuk do të ju lë ta shkatërroni Serbinë. Unë do të luftoj sa të jem gjallë, për Serbinë tonë, për Kosovën dhe Metohinë tonë. Për Vojvodinën, jo në Serbi, Vojvodina është Serbi. Ju ftoj të pranoni këtë aklamacion. Më besoni, unë do të luftoj siç nuk e keni parë kurrë më parë. Ata do të shohin një njeri të pathyeshëm dhe të palëkundur”, shtoi ai.

Kreu i Republika Srspka, Milorad Dodik, në fjalën e tij tha se Republika Srpska dhe Serbia bashkojnë popullin serb dhe se serbët nga Republika Srpska nuk janë “në këtë anë apo atë anë”, por, siç tha ai, janë serbët e mëdhenj.

“Republika Srpska dhe Serbia bashkojnë popullin serb. Unë, së bashku me Acon, presidentin serb Vuçiq, vëllain tim, e konsiderojmë veten serb të mëdhenj dhe është koha që ne t’i kushtojmë aktivitetet tona politike kësaj”, tha Dodik.

Gjatë fjalës së tij, ai lavdëroi presidentin Vuçiq, duke theksuar se ai “e kishte ngritur Serbinë lart, se ajo nuk ishte më një monedhë për t’u hedhur, se nuk ishte më e dobët dhe e pafuqishme”. Ai tha se do ta “shikojë dhe dëgjojë” Vuçiqin.

“Erdha këtu për të thënë se disa nga Sarajeva po thonë se Serbia po zgjerohet drejt Republikës Srpska dhe se gjoja dëshiron të aneksojë Republikën Srpska. Unë duhet t’i mohoj ata. Jo, ne nga Republika Srpska duam të jemi Serbia. Ky është qëllimi ynë,” tha Dodik.

Dodik pyeti të pranishmit: “A jeni pro që lidershipi shtetëror serb të lejojë dhe shpallë çdo serb, kudo që është, qytetar i Serbisë?”, gjë që shkaktoi ovacione nga turma.

Dodik e mbylli fjalën e tij duke kënduar pjesë të këngës “Askush nuk mund të na bëjë asgjë”.