Vuçiq nuk ia pranon Edi Ramës propozimin për Asociacionin: Nuk ka të drejtë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha në intervistën për Reuters-in, tha se askush përveç komunitetit serb nuk ka të drejtë të bëjë propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vuçiq përmendi se propozimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë paraqitur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri shqiptar Edi Rama, si dhe disa organizata joqeveritare.

“Asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë çfarëdo propozimesh. Propozimin e japin serbët dhe Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi në një konferencë për shtyp se më 7 qershor i ka përcjellë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz draftin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, tha më 9 qershor se çdo kontribut konstruktiv në dialog, në të cilin diskutohet për Asociacionin, është i mirëpritur, por se dialogu është e vetmja platformë ku duhet të zhvillohet diskutimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.