Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiq: Serbia “po përgatitet për sulm” nga bashkëpunimi Zagreb-Tiranë-Prishtinë

Vuçiq: Serbia “po përgatitet për sulm” nga bashkëpunimi Zagreb-Tiranë-Prishtinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia po e ndjek nga afër bashkëpunimin mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke pretenduar se këto vende po presin një moment të favorshëm për të sulmuar, transmeton Anadolu.

Duke iu referuar bashkëpunimit Zagreb-Tiranë-Prishtinë, Vuçiq në një intervistë për Radio-Televizionin e Serbisë (RTS) tha se Serbia “po përgatitet për sulmin e tyre”.

Duke komentuar marrëdhëniet me Kroacinë, ai pretendoi se ky vend gjatë një viti e gjysmë të fundit ka bërë gjithçka për “rrëzimin e Serbisë”, duke akuzuar Zagrebin për ndërhyrje brutale në çështjet e brendshme të Serbisë.

Presidenti serb gjithashtu tha se Serbia ka marrëdhënie korrekte me NATO-n, por mbetet e përkushtuar ndaj politikës së neutralitetit ushtarak.

Ai gjithashtu tha se Serbia zotëron raketa hipersonike kineze ajër-tokë me rreze veprimi deri në 400 kilometra, duke i përshkruar ato si ndër sistemet më moderne të armatimit në Evropë.

Vuçiq gjithashtu shprehu shqetësim për situatën globale të sigurisë, duke theksuar se pret “konflikte edhe më të mëdha” në botë dhe se nuk është optimist për një përfundim të shpejtë të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Exit mobile version