Zyrtarët e lartë amerikanë tani po pranojnë privatisht se nuk presin që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë marrëveshje armëpushimi përpara përfundimit të mandatit të presidentit Joe Biden, sipas një raportimi të “Wall Street Journal” (WSJ), transmeton Anadolu.
WSJ-ja raportoi se administrata e Bidenit do të vazhdojë të përpiqet për një marrëveshje, duke e parë atë si rrugën e vetme për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe ndalimin e konfliktit në intensifikimin midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
“Asnjë marrëveshje nuk është e afërt. Nuk jam i sigurt se do të arrihet ndonjëherë”, ka thënë një nga zyrtarët amerikanë për WSJ-në. Sipas lajmit, zyrtarët kanë vënë në dukje dy faktorë kyç prapa pesimizmit të tyre.
Lajmi thotë se njëra është çështja e vështirë e numrit të të burgosurve palestinezë që Izraeli duhet të lirojë për të siguruar kthimin e pengjeve në duart e Hamasit, për të cilin tha se ishte “një pengesë e madhe” përpara vdekjes së gjashtë pengjeve, përfshirë një amerikan.
Për më tepër, sulmi i fundit dyditor ndaj Hezbollahut në pajisjet “pager” dhe atyre të radio-komunikimit, i ndjekur nga sulmet ajrore izraelite, ka rritur shanset për një luftë në shkallë të gjerë, duke ndërlikuar më tej përpjekjet diplomatike me Hamasin, thuhet në lajm.
“Një problem tjetër është se, sipas zyrtarëve të administratës së Bidenit, Hamasi bën kërkesa dhe më pas refuzon të thotë ‘po’ pasi SHBA-ja dhe Izraeli i pranojnë ato”, theksohet më tej.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve të mërkurën se SHBA-ja “ende po përpiqet për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të vendosur një armëpushim, sado që kjo të jetë e vështirë sot”.
“Ende jemi të përfshirë në diplomaci intensive në përpjekje për të parandaluar hapjen e një fronti të dytë në kufirin me Libanin. Ne nuk jemi më afër kësaj tani sesa ishim madje një javë më parë”, tha zyrtari amerikan.
Tensionet midis Izraelit dhe Hezbollahut janë intensifikuar ditët e fundit pas dy valësh shpërthimesh të martën dhe të mërkurën në pajisjet “pager” dhe ato të radio-komunikimit në gjithë Libanin, duke rezultuar në 37 të vdekur dhe mbi 3.000 të plagosur.
Qeveria libaneze dhe grupi Hezbollah e konsideruan Izraelin përgjegjës për shpërthimet dhe e kërcënuan atë me “pasoja të rënda”.