Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zbulohen mbi 70 mijë foto të reja të krimeve të luftës të...

Zbulohen mbi 70 mijë foto të reja të krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Asadit

Më shumë se 70 mijë fotografi që dolën pas përfundimit të regjimit 61-vjeçar të përgjakshëm Baath në Siri, kanë ekspozuar torturat dhe ekzekutimet sistematike të regjimit gjatë viteve, transmeton Anadolu.

Një hard disk i marrë nga një kolonel i vendosur në Damask për të parandaluar shkatërrimin e provave gjatë ikjes së regjimit, zbulon qartë torturën dhe vrasjen brutale dhe sistematike të mijëra njerëzve nga regjimi i Bashar al-Assadit si dhe dokumenton hollësishëm këtë brutalitet të kryer nga forcat e sigurisë kundër popullit të vet.

Përmbajtja, të cilën koloneli ia dha institucionit të televizionit të Gjermanisë Veriore (NDR), u nda gjithashtu me WDR, Süddeutsche Zeitung dhe Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ).

Hard disku përmban fotografi të rreth 10.212 personave të cilët supozohet se janë vrarë nga forcat e sigurisë siriane. Fotografitë e publikuara përbëjnë një nga provat më të rëndësishme vizuale të marra ndonjëherë nga një organizatë lajmesh në lidhje me krimet e luftës të regjimit të Asadit.

Këto fotografi, shumica e të cilave janë bërë midis viteve 2015 dhe 2024 tregojnë qartë shenja torture, lëndime të rënda, djegie dhe uri mbi trupat. Një pjesë e konsiderueshme e fotografive janë bërë në bodrumin e spitalit ushtarak “Harasta”.

Ky spital thuhet se është një qendër ku të burgosurit e vrarë nga shërbimi sekret janë fotografuar sistematikisht. Fotografitë janë thelbësore jo vetëm për familjet që kërkojnë të afërmit e zhdukur, por edhe për identifikimin e autorëve të mundshëm dhe si prova në hetimet ndërkombëtare.

Të dhënat iu dorëzuan Zyrës së Prokurorit Federal Gjerman. Sipas ligjit ndërkombëtar, është e mundur të ngrihen akuza në Gjermani kundër anëtarëve të regjimit të Bashar al-Assadit. Informacioni mbi identitetin e më shumë se 1.500 viktimave është ndarë me organizatat e të drejtave të njeriut dhe agjencinë e OKB-së për personat e zhdukur.

Imazhet në disk konsiderohen si një nga provat më gjithëpërfshirëse të marra ndonjëherë në lidhje me shkallën e krimeve të kryera në qendrat e torturës së regjimit të Asadit.

Fotografitë janë të mbishkruara me kujdes, përfshirë numrin e të ndaluarit, emrin e fotografit, datën kur është bërë fotografia dhe në shumicën e rasteve, agjencinë e sigurisë që arrestoi viktimat (Policia Ushtarake, Drejtoria e Inteligjencës së Forcave Ajrore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës).

Fotografitë janë në cilën e vazhdimit të një serie imazhesh të rrëmbyera nga Siria më shumë se një dekadë më parë nga një dezertor me emrin e koduar “Cezar”, që tregojnë të burgosurit e vrarë midis viteve 2011 dhe 2013.

Fotot e “Cezar”-it shkaktuan ndjekje penale dhe sanksione ndërkombëtare kundër qeverisë siriane dhe u përdorën si prova në gjyqin e parë për tortura kundër regjimit të Asadit në Gjermani në vitin 2020. Ky rast rezultoi në burgim të përjetshëm të ish-kolonelit sirian Anwar Raslan, i cili ishte i përfshirë në rastin e torturës dhe dënimin me 4.5 vjet burg të ish-oficerit Eyad al-Gharib për ndihmë dhe inkurajim të krimeve kundër njerëzimit.

– “Fotografitë e Cezarit”

Fotografitë e bëra nga një ushtar me emrin e koduar “Cezar”, i cili shërbeu në ushtrinë e regjimit sirian dhe ishte përgjegjës për regjistrimin e trupave të sjellë në spitalet ushtarake gjatë luftës civile, mendohet se u përkasin rreth 11 mijë personave midis moshës 20 dhe 40 vjeç, të cilët u konstatua se janë torturuar dhe vrarë nga regjimi përmes metodave çnjerëzore.

Lëndimet në trupat në fotografi, të bëra midis majit 2011 dhe gushtit 2013, zbulojnë se si u torturuan dhe u vranë ata që mbaheshin në objektet ushtarake të regjimit.

Rreth 55 mijë fotografitë e bëra nga ushtari me emrin e koduar “Cezar” u botuan për herë të parë nga Agjencia Anadolu në vitin 2014. Këto fotografi gjeneruan jehonë të madhe si dëshmi të krimeve të luftës të regjimit të Asadit, përfshirë torturën sistematike dhe urinë.

Exit mobile version