Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ku po zhvillohet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore për vendin.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i cilësojnë të pabazuara.
Sipas aktakuzës, ata ngarkohen me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, por të katër kanë mohuar fajësinë që në paraqitjet e para në gjykatë.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle në një përgjigje për “Front Online” ka bërë të ditur se trupi gjykues ka miratuar një urdhër të ri procedural, i cili përcakton afatet dhe udhëzimet për fazat e mbetura të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata ka caktuar 19 janarin 2026 si afat përfundimtar që Prokuroria dhe Mbrojtja të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore.
‘’Trupi Gjykues caktoi gjithashtu 19 janarin 2026 si afat për Prokurorinë dhe Mbrojtjen për të paraqitur dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre, dhe për Mbrojtjen e Viktimave për dorëzimin e deklaratës mbi pasojat e krimeve të pretenduara për 155 viktima pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore’’, thuhet në deklaratën e Doyle.
Deklaratat përfundimtare të palëve, sipas zëdhënësit Doyle janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, duke shënuar fundin e pjesës publike të gjykimit.
“Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026. Pas kësaj, Trupi Gjykues do të mbyllë çështjen gjyqësore dhe do të fillojë fazën e kuvendimeve për lëshimin e aktgjykimit. Aktgjykimi duhet të shqiptohet brenda 90 ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore. Në qoftë se rrethanat kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, ai mund të zgjatet për 60 ditë shtesë’’, përfundon përgjigja e Doyle.
Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur edhe për datën e fillimit të procesit gjyqësor në rastin e dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në njoftimin e fundit të Speciales, bëhet e ditur se gjykatësi Christopher Gosnell ka caktuar 24 shkurtin 2026, për nisjen e procesit gjyqësor kundër Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në çështjen për pengim të drejtësisë.
Bazuar në urdhër, do të zhvillihet një bllok i vetëm deri më 6 mars, gjatë që cilit, do të bëhet paraqitja kryesore e provave nga Prokuroria e Specializuar.
