Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se SHBA-ja po propozon që Moska dhe Kievi t’i japin fund luftës gati 4-vjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës “deri në fillim të kësaj vere”, transmeton Anadolu.
“Amerikanët po propozojnë që palët ta përfundojnë luftën deri në fillim të kësaj vere dhe me gjasë do të ushtrojnë presion ndaj palëve sipas këtij afati”, tha Zelenskyy për gazetarët.
Sipas mediave ukrainase, Zelenskyy tha se pala ukrainase e kupton se “çështjet e brendshme” në SHBA kanë ndikim në këtë afat dhe se beson se ky afat lidhet me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA më vonë gjatë këtij viti.
Ai shtoi se SHBA ka propozuar të presë për herë të parë një takim mes ekipeve negociuese ruse dhe ukrainase, duke shtuar se ky takim pritet të mbahet “ndoshta në Miami, brenda një jave”.
Më tej, presidenti ukrainas tha se SHBA-ja ka sugjeruar që Rusia dhe Ukraina të mbështesin sërish nismën e presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, duke shtuar se Kievi e ka konfirmuar mbështetjen e tij, ndërsa Moska ende jo.
Deklaratat e presidentit ukrainas pasojnë negociatat dyditore mes Moskës, Kievit dhe Washingtonit në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, më 4 dhe5 shkurt, pas të cilave Rusia dhe Ukraina realizuan shkëmbimin e parë të të burgosurve pas pesë muajsh.
Para këtyre negociatave të zhvilluara këtë javë, një raund fillestar bisedimesh trepalëshe u mbajt më 23 dhe 24 janar, gjithashtu në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
