Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zelenskyy: Ukraina e gatshme të ndalë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse nëse...

Zelenskyy: Ukraina e gatshme të ndalë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse nëse Moska vepron njëjtë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse edhe Moska respekton një ndalim të tillë të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.

Gjatë një bisede me gazetarët, sipas mediave ukrainase, Zelenskyy tha se tema e një armëpushimi energjetik mes Kievit dhe Moskës u ngrit nga pala amerikane gjatë bisedimeve trepalëshe të paqes në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) më 23-24 janar dhe është iniciativë personale e presidentit Trump.

“Nëse Rusia e ka dëgjuar sinjalin nga pala amerikane në të njëjtën mënyrë siç e kemi dëgjuar ne, atëherë patjetër do të kemi një rezultat dhe do të jemi në gjendje ta vlerësojmë atë”, u tha Zelenskyy gazetarëve.

Duke theksuar se nuk ka pasur dialog apo marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Ukrainës për këtë çështje, Zelenskyy tha se vendi i tij do të mbajë “qëndrim pasqyrues ndaj hapave të tillë”.

“Nëse Rusia nuk sulmon energjinë tonë, ne nuk do ta sulmojmë energjinë e tyre. Mendoj se kjo është përgjigjja që po e priste ndërmjetësi i negociatave, përkatësisht SHBA-ja”, shtoi ai duke shprehur gatishmërinë e Ukrainës për hapa drejt de-përshkallëzimit.

Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë pasi Trumpi dje gjatë një mbledhjeje të kabinetit tha se i ka kërkuar “personalisht” presidentit rus Vladimir Putin, të mos sulmojë Kievin dhe qytete të tjera ukrainase, për shkak të kushteve të “ftohta ekstreme” të motit.

Më vonë, Zelenskyy në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X falënderoi homologun e tij amerikan, duke theksuar se tema u diskutua në Abu Dhabi dhe se ata “presin që marrëveshjet të zbatohen”.

Në komente të mëtejshme mbi këtë çështje, Zelenskyy në një video-adresim në mbrëmje tha se “situata sonte dhe gjatë këtyre ditëve” do të “tregojë se si qëndrojnë gjërat”.

Autoritetet ruse ende nuk e kanë komentuar iniciativën.

Exit mobile version