Zgjedhjet lokale në komunat e veriut të Kosovës- këta janë kandidatët e certifikuar nga KQZ

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës priten të mbahen me 23 prill ndërkohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar disa parti e kandidat nga partitë politike.

Në Mitrovicën e veriut janë tre kandidatë, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje shkruan Telegrafi.

Në Leposaviq janë tre kandidat PDK garon me Albulena Behluli – Hetemi, Alekandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovë dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Zveçan janë gjithashtu tre kandidat, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – Kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në anën tjetër Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që do të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës.

Ani pse kjo parti kontrollohet nga Beogradi zyrtar edhe pas dakordimeve në Bruksel e Ohër për planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kjo nuk ka ndikuar që ata të jenë pjesë e procesit demokratik zgjedhor në Kosovë.

Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviq.

Pas kësaj, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës. QUINT-i kërkon që zgjedhjet në veri të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Përmes një deklarate publike të premten, shtetet e QUINT-it kanë thënë se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe se “është thelbësore që të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore e të rregullt”.