Zgjedhjet lokale në Shqipëri, PS fiton katër bashki – vazhdon numërimi për bashkinë më të madhe, Tiranën

Në Shqipëri më 14 maj u mbajtën zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Sipas orarit zyrtar, të dielën në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 bashkitë e vendit, proces i cili u mbyll në orën 19:00.

Në të gjithë vendin ishin 5213 qendra votimi ku me vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është shtuar një qendër e posaçme në burgun e Tepelenës ndërsa ditën premte, datë 12.05.2023, me vendim Gjykate është shtuar një Qendër Votimi e Posaçme në burgun e Belsh.

3,650,550 qytetarë me të drejtë vote janë të ftuar që të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.

Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.