Zhdukja e mostrave në rastin Dehari, pezullohen nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Ministra e Drejtësisë (MD) ka njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Sipas njoftimit të MD-së, pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të katër zyrtarëve.

Të pezulluarit janë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore;

Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, të enjten, opozita parlamentare i ka reaguar ministres Albulena Haxhiu.

PDK, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, pas humbjes së mostrave të “Rastit Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Gruda tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur të këtij rasti, dhe se ministrat nuk janë nuk janë drejtues të Ministrive për të raportuar skandalet, por për të punuar në mënyrë të ligjshme.

Ndërkaq deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se të gjitha kauzat e LVV-së duke përfshirë edhe rastin Dehari, kanë qenë propagandë vetëm për të ardhur në pushtet.

Ajo tha qe asnjë hap dhe asnjë veprim nuk është ndërrmarë nga Qeveria Kurti lidhur me rastin Dehari.