Shefja e protokollit të presidentit amerikan Donald Trump tha sot se ai është duke zhvilluar bisedime me FIFA-n për të zhvendosur ndeshjet e Kupës së Botës nga qytetet e drejtuara nga Demokratët, transmeton Anadolu.
“Presidenti Trump është shumë i shqetësuar për disa prej këtyre qyteteve ‘blu’, për shkak të niveleve të larta të krimit, dhe ai po flet me FIFA-n”, tha shefja e protokollit, Monica Crowley, gjatë një interviste për rrjetin televiziv “Fox Business”, duke iu referuar ngjyrës e cila asocohet me Demokratët.
“Asnjë vendim nuk është marrë ende, por ai dëshiron të sigurohet që të gjithë vizitorët e huaj, si dhe tifozët amerikanë, të jenë të mbrojtur mirë ndërsa shkojnë të shijojnë këto evente sportive të nivelit botëror në Amerikë”, shtoi ajo.
Crowley nuk specifikoi se cilat qytete po përmenden në bisedimet e presidentit me federatën e futbollit, por Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se qytetet e drejtuara nga Demokratët janë vatra të krimit, pavarësisht të dhënave zyrtare që tregojnë të kundërtën.
Këto pretendime janë përdorur shpesh nga presidenti për të justifikuar dislokimet e ushtrisë në rrugët e SHBA-së, dislokime që kanë hasur vazhdimisht në pengesa pas sfidave ligjore nga drejtuesit lokalë.
Gati të gjitha qytetet amerikane që do të presin ndeshje të Kupës së Botës janë të dominuara nga Demokratët, me përjashtim të Dallasit dhe Miamit. Të nëntë zonat e tjera pritëse – Atlanta, Bostoni, Houstoni, Kansas City, Los Angeles, New Jersey, Philadelphia, Seattle dhe zona e Gjirit të San Franciskos – drejtohen nga Demokratët.
Ndeshje do të luhen gjithashtu në Kanada dhe Meksikë.
Më shumë se dy milionë bileta janë shitur tashmë, sipas Crowleyt.
