Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka nisur dy thirrje të koordinuara emergjente për personat e zhvendosur në Ukrainë dhe rajon.
“Plani i parë në Ukrainë, kërkon 1.1 miliardë dollarë për të përmbushur nevojat humanitare në rritje për më shumë se 6 milionë individë të zhvendosur dhe të prekur nga operacionet ushtarake gjatë tre muajve të ardhshëm”, tha Guterres.
“Ndërsa, plani i dytë kërkon 551 milionë dollarë për të ndihmuar ukrainasit që ikën përtej kufirit, kryesisht në Poloni, Hungari, Rumani dhe Moldavi”, shtoi ai.
“Të dy planet përfshijnë fonde për të rritur furnizimet thelbësore mjekësore dhe shëndetësore, ujë të pastër, strehim dhe mbrojtje”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke vënë në dukje se planet janë të koordinuara, plotësuese dhe të hartuara për zbatim të menjëhershëm.
“Ju bëj thirrje që t’u përgjigjeni këtyre thirrjeve jetëshpëtuese. Komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mbështetje të qartë”, tha Guterres. /atsh
