Ballina Lajmet 11 të vdekur dhe mbi 500 raste të reja me COVID-19 në...

11 të vdekur dhe mbi 500 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Njëmbëdhjetë pacientë me COVID-19 humbën jetën 24 orët e fundit në Shqipëri, 140 u raportuan se u shëruan, ndërsa 507 persona të tjerë rezultuan të infektuar.

Sipas raportimit të ministrisë së Shëndetësisë, viktimat ishin të moshave 43, 48, 53, 58, 66, 68, 70, 78, 78 dhe 75 nga Tirana, Gjirokastra, Peqini, Fieri, Berati, Elbasani dhe Korça.

Kështu totali i viktimave në Shqipëri nga COVID-19 ka shkuar në 590 (2.28% e totalit të rasteve).

Autoritetet thanë se ditën e fundit u kryen 2,384 teste – në laboratorë publikë dhe privatë, 520 teste “për arsye depistimi”, – prej së cilave rezultuan pozitivë 507 persona (pozitiviteti 27.1%).

Me rastet e reja totali ka shkuar në 25,801 persona të cilët janë infektuar në Shqipëri.

Të paktën 140 persona u deklaruan së fundmi të shëruar sipas ministrisë së Shëndetësisë, duke e çuar totalin në 12,493 persona (48.4% e rasteve totale) që kanë mundur ta mposhtin infeksionin që prej muajit mars.

Prej së hënës numri i personave të shëruar është më i vogël se numri i rasteve aktive.

Aktualisht të paktën 12,718 persona (49.2% e rasteve totale) mbeten ende mbartës të virusit, prej tyre 363 ndodhen të shtruar në spitale – 18 në terapi intensive.

Tirana (6,229 raste), Durrësi (1,094 raste) dhe Fieri (971 raste) janë qarqet më problematike për sa i përket pandemisë.

Exit mobile version