Ballina Lajmet Kosovë Arrest shtëpiak për 15 të dyshuar për manipulim votash në Dragash dhe...

Arrest shtëpiak për 15 të dyshuar për manipulim votash në Dragash dhe Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka zhvilluar më 10 dhe 11 shkurt katër seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit” në komunat Dragash dhe Suharekë.

Në seancën e 10 shkurtit, gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tre të dyshuarve në Dragash – L.A., B.B. dhe S.S. – duke vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për këtë masë. Të njëjtit do të mbrohen në liri gjatë zhvillimit të mëtejmë të procedurës.

Ndërkohë, për gjashtë persona të tjerë – A.K., M.R., E.R., A.Q., A.T. dhe R.Sh. – po ashtu është refuzuar masa e paraburgimit, por gjykata ka vendosur t’u shqiptojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 9 mars 2026, me mundësi vazhdimi sipas parashikimeve ligjore.

Sa i përket rastit në Suharekë, Prokuroria ka paraqitur dy kërkesa për paraburgim ndaj gjithsej 19 të dyshuarve për të njëjtën vepër penale. Seancat janë mbajtur më 11 shkurt 2026 në Departamentin për Krime të Rënda, duke zgjatur nga ora 18:30 deri në 22:00.

Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata ka refuzuar paraburgimin për dhjetë të dyshuar – A.Z., B.Z., B.V., E.M., F.K., G.R., Y.Z., L.F., M.H. dhe B.D. – të cilët do të vazhdojnë procedurën në gjendje të lirë.

Për nëntë të dyshuar të tjerë – H.S., Sh.K., H.G., G.K., F.G., J.D., F.V., J.G. dhe B.K. – nuk është miratuar paraburgimi, por është vendosur masa e arrestit shtëpiak për një periudhë njëmujore, e cila do të zgjasë deri më 10 mars 2026.

Exit mobile version