Pritshmëritë ishin deri në 2 milionë dollarë, por kjo skicë e Michelangelo-s kapërceu çdo parashikim dhe u shit për gati 14 herë më shtrenjtë, duke arritur shifrën marramendëse prej 27.2 milionë dollarësh. Ankandi i zhvilluar në shtëpinë Christie’s në New York u shndërrua në një “luftë” ofertash që zgjati plot 45 minuta, duke vendosur një rekord të ri për artistin.
Vepra, e titulluar “Studim për këmbën e Sibilës Libiane”, është një skicë e realizuar rreth vitit 1510 me shkumës të kuq. Ajo shërbeu si përgatitje gjeniale për një prej detajeve më ikonike të tavanit të Kapelës Sistine në Vatikan. Me një lartësi prej vetëm 12 centimetrash, ky vizatim konsiderohet tejet i rrallë, pasi dokumenton procesin krijues të mjeshtrit të Rilindjes për kryeveprën e tij më të famshme.
Ky zbulim i jashtëzakonshëm u identifikua vetëm vitin e kaluar, pasi pronari e kishte dërguar skicën për një vlerësim falas përmes faqes së internetit të shtëpisë së ankandeve. Fakti që një punim i tillë “autograf” i Michelangelo-s u rishfaq pas shekujsh në duar private, shpjegon edhe çmimin rekord që la pas të gjitha parashikimet fillestare të ekspertëve.
