Ballina Lajmet Kosovë 34 ditë për Presidentin e ri – Si u prit vendimi i...

34 ditë për Presidentin e ri – Si u prit vendimi i Kushtetueses në skenën politike

Gykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm dekretin e 6 marsit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke kthyer procesin e zgjedhjes së Presidentit sërish në duart e deputetëve.

Sipas aktgjykimit, Kuvendi ka afat prej 34 ditësh për të zgjedhur Presidentin e ri. Në të kundërtën, legjislatura do të shpërndahet automatikisht dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi vendimin si një qartësim të domosdoshëm institucional.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sjell qartësi në një moment të rëndësishëm për vendin dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike,” deklaroi ai.

Abdixhiku theksoi se vendimi nuk favorizon asnjë palë politike, por rikthen përgjegjësinë te Kuvendi.

“Pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përfundojë,” u shpreh ai, duke shtuar se përgjegjësia kryesore bie mbi shumicën parlamentare.

Ai kërkoi që çështja të zgjidhet përmes marrëveshjeve politike dhe jo përmes imponimit, duke nënvizuar se Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese.

“Nuk do të bëhemi alibi e dështimeve të askujt, por mbetemi të gatshëm të kontribuojmë në çdo zgjidhje serioze që garanton stabilitet institucional,” tha Abdixhiku.

Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se veprimet e Presidentes Osmani kishin për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues.

“Aktgjykimi nuk konstaton shkelje kushtetuese, por jep interpretimin përfundimtar që duhet të respektohet nga të gjithë,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi shkurt se partia e saj do ta respektojë vendimin.

“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik,” tha Çitaku, duke bërë të ditur se organet drejtuese të PDK-së do të mblidhen për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Reagime pati edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, bëri thirrje për përgjegjësi institucionale.

“Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe angazhim që vendi të mos futet në një cikël të ri zgjedhjesh,” tha ajo.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, kritikoi opozitën.

“Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje vetëm pse opozita nuk pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve,” deklaroi Murati.

Këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia, rikujtoi se Kushtetuta përcakton qartë afatet për zgjedhjen e Presidentit.

“Zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual,” theksoi ajo.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas dështimit të seancës së 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit, e cila u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën. Një ditë më pas, Presidentja Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, vendim që tashmë është rrëzuar nga Gjykata.

Exit mobile version