Një grup prej 41 ushtarësh izraelitë nga njësitë e inteligjencës dhe luftës kibernetike kanë njoftuar se nuk do të vazhdojnë shërbimin ushtarak, duke e quajtur luftën në Gaza një “gjenocid” dhe një “luftë për mbijetesën politike” të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sipas agjencisë Anadolu, ushtarët i kanë dërguar një letër të nënshkruar Netanyahut, ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, shefit të Shtabit Eyal Zamir dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit, ku shprehin refuzimin për të marrë pjesë në ofensivën ushtarake.
Nën titullin “Ushtarë për pengjet”, ata theksojnë se vendimi për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza është politik, jo i bazuar në sigurinë e vendit. Ata akuzojnë qeverinë se po e vazhdon luftën për të ruajtur koalicionin qeveritar dhe jo për të mbrojtur qytetarët izraelitë.
Ndërkohë, ofensiva izraelite vazhdon në veri dhe jug të Gazës, mes një krize humanitare të thelluar. Më shumë se 55,000 palestinezë janë vrarë që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. /mesazhi
