Duke hedhur poshtë presionin në rritje nga SHBA-ja, presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel tha se nuk do të japë dorëheqje nga detyra, duke pohuar se udhëheqja e vendit përcaktohet vetëm nga populli i tij, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për NBC News të transmetuar të enjten, Diaz-Canel hodhi poshtë sugjerimet se ai duhet të japë dorëheqje për të lehtësuar krizën e vendit, duke theksuar se Kuba është shtet sovran i pavarur nga ndikimi i jashtëm.
“Në Kubë, njerëzit që janë në pozicione udhëheqëse nuk zgjidhen nga qeveria amerikane”, tha ai duke shtuar se “dorëzimi nuk është pjesë e fjalorit tonë”.
Vërejtjet vijnë ndërsa administrata e Trumpit intensifikon presionin mbi Havanën, me zyrtarët që bëjnë thirrje për ndryshime politike dhe ekonomike në ishullin e drejtuar nga komunistët.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Washingtoni beson se një marrëveshje me Kubën mund të arrihet, ndërsa e përshkroi gjithashtu vendin si një “komb në dështim”.
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio ka kritikuar sistemin ekonomik të Kubës, duke thënë se ndryshimi domethënës do të kërkonte një ndryshim në udhëheqje dhe qeverisje.
“Kubanët mund të jenë të suksesshëm vetëm nëse largohen nga vendi”, tha Rubio.
Diaz-Canel kundërshtoi, duke vënë në pikëpyetje nëse kërkesa të ngjashme do t’u drejtoheshin udhëheqësve amerikanë dhe duke akuzuar Washingtonin se po përpiqet të ndikojë në punët e brendshme të Kubës.
Kuba është përballur me një krizë të zgjatur ekonomike të shënuar nga mungesa e karburantit, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe qasje të kufizuar në ushqim dhe ilaçe. Zyrtarët kubanë ia atribuojnë pjesën më të madhe të vështirësive sanksioneve të SHBA-së për dekada të tëra, ndërsa zyrtarët amerikanë argumentojnë se çështjet strukturore ekonomike janë fajtore.
Zhvillimet e fundit e kanë tensionuar më tej situatën, përfshirë uljen e dërgesave të naftës nga Venezuela dhe ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit, duke kontribuar në ndërprerjet e energjisë në të gjithë vendin.
Pavarësisht tensioneve, të dyja palët kanë pranuar kontaktin e kufizuar. Zëvendësministri i jashtëm i Kubës tha se diskutimet për lehtësimin e tensioneve mbeten në një fazë “shumë paraprake”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha më 29 mars se “Kuba është e radhës pas operacionit ushtarak kundër Iranit”, duke shtuar se “kombi ishullor i Karaibeve do të dështojë së shpejti”.
