Ballina Artikuj A do të jetë Donald Trump presidenti i fundit sionist i Amerikës?

A do të jetë Donald Trump presidenti i fundit sionist i Amerikës?

David Hearst

Ndryshimi i opinionit në SHBA, po nxit debate mbi të ardhmen e mbështetjes për Izraelin

David Hearst, Middle East Eye

Donald Trump ishte presidenti amerikan që i dha Izraelit pothuajse gjithçka që kërkonte. Gjatë mandatit të tij, Shtetet e Bashkuara njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, njohën sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit dhe mbështetën në mënyrë të vendosur politikat e qeverisë së Benjamin Netanyahut.

Megjithatë, sot marrëdhënia mes tyre po përjeton një nga momentet më të vështira, ndërsa kritikat ndaj Trumpit në Izrael janë shtuar ndjeshëm. Komentatorë dhe figura të afërta me qeverinë izraelite e kanë akuzuar Trumpin se ka treguar dobësi ndaj Iranit dhe se nuk po mbron më interesat izraelite me të njëjtën vendosmëri si më parë.

Ndryshimi është i madh po të kihet parasysh se deri pak kohë më parë Trump konsiderohej politikani amerikan më pro-Izraelit. Gjatë presidencës së tij, Trump ndërmori vendime historike në favor të tij.

Ai emëroi ambasador David Friedman, një mbështetës të kolonive hebraike në Bregun Perëndimor, ndërsa Jared Kushner luajti një rol kyç në hartimin e politikës amerikane për Lindjen e Mesme dhe në projektet për të ardhmen e Gazës.

Vendimi për ndërhyrjen ushtarake kundër Iranit u mor pas konsultimeve të ngushta me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe drejtues të shërbimeve izraelite të inteligjencës. Megjithatë, përplasjet mes Izraelit dhe aleatëve të tij nuk janë të reja.

Historia tregon se edhe Britania, e cila mbështeti krijimin e një atdheu hebraik me Deklaratën e Balfour-it, u përball më pas me sulme nga organizatat hebraike të armatosura gjatë mandatit britanik në Palestinë.

Midis viteve 1945-1948, qindra ushtarë, policë dhe civilë britanikë u vranë në sulme të kryera nga grupet Irgun dhe Lehi. Sulmi më i njohur ishte ai ndaj hotelit King David në Jerusalem në vitin 1946.

Edhe presidentët amerikanë Barack Obama dhe Joe Biden, megjithëse mbështetën fuqishëm Izraelin, patën marrëdhënie të tensionuara me qeverinë Netanyahu. Obama miratoi paketën më të madhe të ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, ndërsa Biden mbështeti vazhdimisht sigurinë izraelite.

Megjithatë, të dy u kritikuan ashpër nga Netanyahu për shkak të dallimeve mbi Iranin dhe zhvillimet në rajon. Ndërkohë, ndryshimi më i madh po ndodh brenda vetë Shteteve të Bashkuara. Lufta në Gaza, konflikti me Iranin dhe vazhdimi i operacioneve ushtarake izraelite kanë ndryshuar ndjeshëm opinionin publik amerikan.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve nën moshën 50 vjeç, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë tashmë një qëndrim negativ ndaj Izraelit. Në total, rreth 60 për qind e amerikanëve shprehin një opinion të pafavorshëm për Izraelin, ndërsa shumica nuk kanë besim te mënyra se si Benjamin Netanyahu trajton çështjet ndërkombëtare.

Ky ndryshim po reflektohet edhe në politikë. Në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike, disa kandidatë të mbështetur nga Komiteti Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC) humbën përballë kandidatëve që kishin kritikuar luftën në Gaza.

Fitoret e Zohran Mamdanit në Nju Jork dhe Melat Kiros në Kolorado u interpretuan si një sinjal se ndikimi politik i AIPAC nuk është më aq i padiskutueshëm sa më parë. Edhe debati publik amerikan ka ndryshuar.

Çështja palestineze nuk shihet më si një temë që i përket vetëm së majtës politike. Ajo është bërë pjesë e diskutimeve më të gjera mbi politikën e jashtme amerikane, të drejtat e njeriut dhe rolin e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Edhe brenda qarqeve konservatore janë shtuar zërat që e konsiderojnë mbështetjen e pakushtëzuar për Izraelin si një barrë për interesat amerikane. Nëse vazhdojnë këto prirje, mbështetja tradicionale dhe pothuajse e pakushtëzuar që Izraeli ka gëzuar për dekada në politikën amerikane mund të hyjë në një fazë të re.

Trump mbetet presidenti që i dha Izraelit mbështetjen më të madhe politike në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, por zhvillimet e fundit tregojnë se konsensusi amerikan rreth Izraelit nuk është më aq i fortë sa dikur. \tesheshi

Exit mobile version