Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë një përgjigje lidhur me mundësinë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të vijë në Kosovë për varrimin e babait të tij.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Specialja ka thënë se të paraburgosurit mund të bëjnë kërkesa për arsye humanitare, ndërsa vendimi mbetet në dorën e gjykatësve.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të ndaluar të bëjnë kërkesa te gjyqtarët kompetentë për arsye të forta humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për këto kërkesa. Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtresat e Mbrojtjes dhe vendimet e Gjyqtarëve, publikohen në uebfaqen e DSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion shtesë mbi këtë çështje të jetë i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në uebfaqen e DSK-së”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Babai i Hashim Thaçit ndërroi jetë të dielën, vetëm dy ditë pasi u vizitua nga i biri, i cili pas disa refuzimesh arriti të vijë në Kosovë me lejen e Speciales.
Ende nuk dihet se kur do të mbahet ceremonia mortore për 87-vjeçarin.
Por, në raste të ngjashme, deri më tani, Gjykata Speciale nuk kishte lejuar asnjë të akuzuar që të merrte pjesë në ceremonitë mortore të familjarëve.
