Përse dështojnë protestat që nuk thirren nga partitë politike dhe ç’duhet bërë për të dalë nga kjo letargji
Pamja e djeshme para Kryeministrisë ishte dëshpëruese, por jo befasuese: dhjetë veta, më pak se një skuadër futbolli, u mblodhën për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës, ndërkohë që rrjetet sociale “digjeshin” nga revolta virtuale.
E njëjta heshtje varri mbuloi edhe Korçën pak javë më parë në lidhje me pasojat e bllokimit të rrugës kombëtare, duke ngritur pyetjen fatale nëse ka vdekur përfundimisht nervi qytetar në Shqipëri apo nëse protesta është bërë një aset ekskluziv i partive politike.
Gjatë 13 viteve të fundit, opozita e ka konsumuar dhe shpeshherë e ka “përdhunuar” konceptin e revoltës, duke e kthyer atë nga një mjet reagimi qytetar në një ritual elektoral ose mjet presioni për interesa karrigesh. Kjo ka krijuar një ngërç fatal, ku qytetari i thjeshtë trembet se sinqeriteti i tij do të vidhet nga një fjalim partie në fund të tubimit.
Kjo tregon se në Shqipëri, politika ka arritur të asfiksojë çdo qelizë pavarësie, duke e lënë të ashtuquajturën “shoqëri civile” si një aneks të lodhur që merr frymë vetëm kur i hapet rubineti i fondeve apo i urdhrave politikë, majtas apo djathtas.
Nga pikëpamja sociologjike, ne po vuajmë nga një atomizim ekstrem ku jemi një shoqëri që “ulëret” në grup në Facebook, por që vepron në mënyrë individuale në jetën reale, duke mos besuar më te e mira e përbashkët.
Rritja e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës po i godet që të gjithë, por secili kërkon një zgjidhje private. Dikush duke kursyer kafshatën, dikush duke pritur biletën e ikjes. Sepse mungesa e pjesëmarrjes tregon se nuk kemi më pika takimi sociale dhe qytetari e sheh veten si një ishull të vetmuar përballë një shteti që e percepton si të paprekshëm.
Psikologjikisht, mospjesëmarrja në tubime jo politike nuk është përtesë, por një dorëzim i mësuar. Pas dhjetëra protestave që nuk kanë prodhuar asnjë reflektim, te qytetari është rrënjosur bindja se “këtu nuk ndryshon asgjë”, duke e kthyer revoltën në një apati cinike.
Kur besimi te qeveria është zero dhe besimi tek opozita është nën zero, rezultati është ky që pamë dje: një shesh bosh dhe një heshtje që ulëret më shumë se çdo megafon, duke vërtetuar se jemi bërë njerëz politikë në kuptimin më të keq të fjalës – spektatorë që presin të shohin se cili “ujk” do ta hajë tjetrin, ndërkohë që vetë po mbetemi pa asnjë mbrojtje.
Për të dalë nga kjo letargji mbytëse, duhet të kuptojmë se diagnoza nuk është mungesa e kauzave, por vdekja e besimit te organizimi. Teza e parë për një zgjim real kërkon “dekontaminimin” e sheshit nga simbolet partiake.
Protesta duhet të pushojë së qeni një monedhë këmbimi për pushtet dhe të kthehet në një mjet për dinjitet. Kjo arrihet vetëm nëse krijohen struktura të reja komunitare, jashtë zyrave të partive dhe larg influencës së OJQ-ve që ushqehen nga projektet e qeverisë.
Duhet një pakt i ri mes qytetarit dhe sheshit, ku kauza të jetë më e madhe se udhëheqësi dhe ku dështimi i djeshëm të shërbejë si pasqyrë për të parë se sa poshtë kemi rënë si shoqëri kur nuk mbrojmë dot as xhepin tonë.
Teza e dytë lidhet me kalimin nga revolta emocionale e tastierës në rezistencën civile pragmatike. Letargjia thyhet vetëm kur qytetarët kuptojnë se asnjë qeveri nuk ofron zgjidhje nga vullneti i mirë, por nga frika e llogaridhënies.
Zgjidhja nuk vjen nga pritja e një “shpëtimtari” politik, por nga guximi për të dalë në rrugë pa lejen e askujt, duke kuptuar se pjesëmarrja nuk është vetëm detyrë, por e vetmja rrugë për të mos u shndërruar në numra statistikash në zyrat e pushtetit. /tesheshi
