Ballina Artikuj A po dimë t’i duam fëmijët tanë?

A po dimë t’i duam fëmijët tanë?

Hoxhë Halil Avdulli

Të gjithë prindërit pretendojnë se i duan fëmijët e tyre. Por dashuria nuk matet me ndjenjën e brendshme, por me mënyrën se si ata sillen dhe si i edukojnë. Pyetja thelbësore nuk është nëse ndiejnë dashuri, por nëse sjelljet e tyre e reflektojnë atë.

Kriteri i parë:
Nëse përdorin detyrim, dominim dhe dhunë për ta bërë fëmijën të bindet duke u mbështetur në frikësim, shpërblim, kërcënim apo ndëshkim atëherë ata nuk dinë t’i duan fëmijët. Edukimi i vërtetë nuk është imponim, por bindje dhe ndërtim i vlerave të brendshme që e drejtojnë fëmijën vetë drejt së mirës.

Kriteri i dytë:
Nëse janë tepër të butë dhe u japin fëmijëve liri absolute, pa rregulla, pa kufij dhe pa vendosmëri, kjo po ashtu tregon mungesë dashurie. Madje, kjo mund të jetë edhe më e dëmshme se autoritarizmi, sepse dëmton formimin e personalitetit në të ardhmen.

Kriteri i tretë:
Nëse u plotësojnë çdo dëshirë pa asnjë kufizim, në fakt po i dëmtojnë. Shenjat e kësaj janë:
• U blejnë çdo gjë që kërkojnë
• U japin pajisje elektronike pa kufi (telefon, lojëra, televizor në dhomë, etj.)

Kjo përçon mesazhin: “Nuk kam kohë për ty.” Ndërkohë, pajisjet zëvendësojnë prindin dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin natyror, përqendrimin dhe aftësitë akademike të fëmijës.

Kriteri i katërt:
Nëse i mbingarkojnë me këshilla dhe udhëzime të vazhdueshme, kjo nuk i ndihmon, por i lodh dhe i largon emocionalisht. Këshilla duhet të jenë të pakta dhe të peshuara, që të kenë ndikim real.

Kriteri i pestë:
Nëse roli i tyre si prind kufizohet vetëm në kapjen e gabimeve dhe kontrollin e fëmijës, atëherë edukimi është i gabuar. Prindi i mirë nuk sillet si polic që pret gabimet, por si udhërrëfyes që përforcon dhe vlerëson të mirën.

Këto janë pesë kritere thelbësore. Nëse të paktën një prej tyre i përket sjelljes së tyre, atëherë është koha të rishikojnë seriozisht mënyrën se si po i rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version