Ballina Artikuj Përulësia njohëse si virtyt filozofik

Përulësia njohëse si virtyt filozofik

Hoxhë Halil Avdulli

Mendja njerëzore përballë ekzistencës është si shikimi përballë kubit; nuk mund ta përfshijë atë me një vështrim të vetëm.
Mendimtari maroken Tayeb Bouaazza krahason marrëdhënien e mendjes me ekzistencën me marrëdhënien e syrit me kubin. Kur shikon një kub, nuk mund t’i shohësh të gjitha faqet njëherësh; sheh një, dy ose tre, sipas këndit të shikimit. Faqet e tjera ekzistojnë, por mbeten të padukshme në atë moment. Po kështu është edhe mendja përballë ekzistencës: çdo teori filozofike apo shkencore përfaqëson një këndvështrim. Ajo nuk e përfshin dot të gjithë ekzistencën njëherësh. Ajo që duket si shpjegim i plotë, në të vërtetë është vetëm një pjesë e së vërtetës.
Kjo ide na kujton atë që ka parashtruar filozofi gjerman Imanuel Kant, i cili bëri dallimin mes “gjësë siç na shfaqet” (phenomenon) dhe “gjësë në vetvete” (noumenon). Mendja nuk e percepton realitetin ashtu siç është në vetvete, por ashtu siç shfaqet përmes strukturave tona njohëse. Me fjalë të tjera, ajo që ne zotërojmë nuk është vetë ekzistenca në thelb, por përfaqësimet që mendja i formëson sipas kushteve të saj paraprake, si koha, hapësira dhe kategoritë e të kuptuarit.
Sipas këtyre dy pikëpamjeve, përfshirja e plotë e së vërtetës është vetëm një iluzion. Në historinë e mendimit, shumë filozofë kanë rënë në iluzionin se mund ta shpjegojnë ekzistencën në mënyrë të plotë dhe përfundimtare. Nga metafizika e lashtë deri te disa rryma moderne pozitiviste, ka ekzistuar bindja se mendja mund ta përfshijë plotësisht të vërtetën. Por krahasimi që sjell Tayeb Bouaazza e rrëzon këtë pretendim: njohja njerëzore është gjithmonë e pjesshme, e kushtëzuar dhe këndvështrimore. Kjo shihet edhe në zhvillimin e dijes: nga Isak Njuton te Albert Ajnshtajn në fizikë, apo nga Aristoteli te Martin Heidegger në filozofi. Çdo etapë nuk e anulon plotësisht tjetrën, por zbulon një faqe të re të “kubit”.
Përulësia njohëse si virtyt filozofik
Përfundimi filozofik i këtij vizioni është ajo që mund të quhet përulësi njohëse. Mendja nuk është e pafuqishme, por as absolute. Përparimi i dijes mbështetet në tre parime:
• pranimi i kufijve të perceptimit,
• shumëllojshmëria e këndvështrimeve (filozofike dhe shkencore),
• dhe hapja e vazhdueshme ndaj rishikimit të ideve.
Në këtë kuptim, filozofia nuk është kërkim i një shpjegimi të vetëm përfundimtar, por një proces i grumbullimit të këndvështrimeve që na afrojnë gradualisht drejt strukturës së ekzistencës.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version