Ballina Artikuj “Shtëpia” e merimangës”

“Shtëpia” e merimangës”

Ibrahim Xhepmetaj

Më ka intriguar një ajet nga Kur’ani kur e kam lexuar për shtëpinë apo rrjetën që thur merimanga dhe në të kam parë simbolika dhe mesazhe të fuqishme.

{ مَثَلُ ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِ ٱللَّهِ أَوۡلِيَآءَ كَمَثَلِ ٱلۡعَنكَبُوتِ ٱتَّخَذَتۡ بَيۡتٗاۖ وَإِنَّ أَوۡهَنَ ٱلۡبُيُوتِ لَبَيۡتُ ٱلۡعَنكَبُوتِۚ لَوۡ كَانُواْ يَعۡلَمُونَ }
“Rasti i atyre, që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata!”[Surja Ankebut 41]

Nëse do ti emërtojmë emrat kyç të kësaj fraze Kur’anore me terma bashkëkohorë të mund të bëjmë një analogji interesante. P:sh struktura e rrjetës së merimangës simbolizon një grup apo organizatë të mirë-strukturuar apo një grup apo pari elitare që bashkon forcat për të realizuar interesat e grupit të vet, e kjo është streha (shtëpia) e saj, ku siguron dhe garanton mbrojtjen dhe pushtetin e vet. Rrjeta në vetvete krijon forcën dhe mitin e “pathyeshmërinë ” edhe pse fijet pra lidhjet e rrjetës (kupto rrjetit*) janë shumë të dobëta, e kundërta ndodh vetëm se ato bashkërendojnë për një qëllim energjitë, të gjitha së bashku e kështu bëhet “problem” edhe ngrenë kurth për armiqtë apo “prenë” e tyre. Sikurse merimanga simbolizon të keqen, intrigën dhe të zezën edhe elita djallëzore që përfaqësohet nga elitat globaliste i ngjan merimangës, e cila ka shumë këmbë – vepron në shumë dimensione njëkohësisht, është e aftë në thurjen e planeve dhe e pamëshirshme me prenë e saj (më të dobëtit, naivët, frikacakët, gafilët, injorantët). Merimanga e thur rrjetën e saj për të përfituar sukses përmes dy armëve që zotëron: frika dhe joshja; që të dyja janë cilësi të merimangës, por me anë të tyre përfiton edhe viktimat e saj. Fijet janë lidhjet e interesit, i bashkon qëllimi që është krijimi i një strukture të fortë (si shtëpia apo rrjeta) për kapjen e çdo gjëje që mund të arrijnë, qoftë prej interesave dhe nevojave të tyre imediate (pasuria, konsumi), qoftë duke eliminuar pengesat që u cenojnë autoritetin e pushtetit (armiqtë e tyre të vërtetë). Edhe pse në të vërtet rrjeta funksionon dhe jep idenë e rrezikut të padukshëm, të pashmangshëm, të pathyeshëm, në thelb është e dobët, sepse varet tërësisht nga ekuilibri i bashkërendimit të njësive brenda saj, mjafton një çarje e vogël, një këputje, një pastrim serioz dhe ky sistem është totalisht vulnerabël për t’i rezistuar e bërë ballë fuqisë së vërtetë -të sistemit real të forcës që është e vërteta dhe e mira. Mirëpo për t’u konkretizuar ky fakt në realitet (që na jepet si metaforë) ka nevojë për një element kyç: besimi dhe jetësimi i vlerave të besimit që buron nga Zoti, i Cili është i Plotfuqishëm dhe Mbizotërues ndaj çdo sistemi të ndërlikuar, këtij “plani-kurthi të madh” sepse Krijuesi është në anën e atyre që e përkrahin të vërtetën dhe i besojnë fuqisë së ndryshimit që fillon nga përmirësimi i një individi (njësia më e vogël) e cila në vetvete kërkon shkëputjen nga varësia ndaj rrjetit, pra mosmbështetja tek prodhuesit e rrjetit dhe mospasja frikë ndaj tyre (për shkak se ata vetë kanë frikë dhe ushqehen me miqësinë fragjile të njëri tjetrit dhe mbështetjen aktive ose pasive të vartësve të sistemit që ata kanë ndërtuar (e cila në vetvete ngrihet mbi iluzione dhe gënjeshtra), e cila sapo të demaskohet dhe ç’montohet në fijet e para, bije përnjëherë dhe shfaq dobësinë reale që e karakterizon që në fillesë (ide, përmbajtje).
Merimangat janë kontrollorët dhe thurësit e fijeve, strukturat mbështetëse janë ushtarët dhe hyzmeqarët e saj, preja e lehtë është ushqimi dhe garancia e saj (pra masa e përgjumur e popullit). Nëse preja zgjohet dhe tregohet e vëmendshme, kurthi i merimangës nuk do ta dëmtojë, edhe nëse pa-dashje preket, në rast se menaxhon frikën dhe vepron arsyeshëm nuk do t’i mbështillet për ta zënë në kurth, por do kalojë si një bezdisje e mundimshme që në fund rezulton me triumf dhe mbizotërim. Në shumë raste njerëzit bien në kurthin e këtyre rrjetave apo këtij sistemi sepse ose rrjeti është ushqyer nga ne për një kohë të gjatë dhe duke e fuqizuar rrjetin kemi dobësuar mekanizmat tonë mbrojtës ndaj tij, ose për shkak të endjeve të komfort-zonit që zgjedhin të jetojnë në të shumica e njerëzve, duke mos e vlerësuar dhe konsideruar rrezikun që vjen vazhdimisht prej tij për pasojë përfundojnë të mashtruar nga iluzionet që krijon ky “matriks” përmes panikut, ankthit, shfaqjeve të perfeksionit dhe “plotfuqisë” së tyre, që në fakt të gjitha kanë emërues të përbashkët gënjeshtrën. Pra frika e reale është pikërisht pasojë e boshllëkut të besimit në Zot, i cili duhet të jetë i vetmi Burim ‘pasigurie’ në kuptimin ontologjik, sepse vetëm Atij duhet t’i frikësohemi realisht, po të besojmë dhe të jemi të bindur se Ai ka krijuar kontrollon dhe menaxhon gjithçka dhe asgjë nuk del jashtë vullnetit të Tij. Megjithatë me njerëzit në përgjithësi po ndodh e kundërta, për shkak se i gjithë sistemi është ndërtuar pa Zotin e vërtetë, por duke ju rebeluar Atij, pa kuptuar njeriu ka kaluar në skajin tjetër, duke shpikur një “Zot” që nuk menaxhon dot as veten e tij: për pasojë as emocionet, frikërat iracionale dhe mbështetjen e ka totalisht në “dërrasë të kalbur”. Këtë mesazh në mënyrë tepër ekumenike na e përcjellë ky ajet i Kur’anit, duke na treguar bash rrënjën e të gjitha problemeve dhe destabilizimit njerëzor: { ٱلشَّيۡطَٰنُ يَعِدُكُمُ ٱلۡفَقۡرَ وَيَأۡمُرُكُم بِٱلۡفَحۡشَآءِۖ وَٱللَّهُ يَعِدُكُم مَّغۡفِرَةٗ مِّنۡهُ وَفَضۡلٗاۗ وَٱللَّهُ وَٰسِعٌ عَلِيمٞ }
“Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” Bekare, 268

Gjithashtu njeriu është i prirur më lehtë të pranojë gënjeshtrat e ëmbla, se të përtypë të vërtetën e hidhur – e cila në fakt është shërimi dhe shpëtimi për të. “Veç sikur ta dinin ata” – shpreh keqardhjen për masën e madhe dhe ven në pah rolin e madh të intelektit dhe vetëdijes si mekanizmin kryesor për të kapërcyer ndikimin e matriksit (rrjetës së merimangës) dhe për t’i shikuar gjërat siç janë (me prizmin -syrin e zemrës dhe arsyes së shëndoshë), larg manipulimit dhe dorëzimit fatal (nga humbja e shpresës). “Nuk e humb shpresën nga Mëshira e Zotit veç popullit jobesimtar.” Kur’an.

Pikënisja e reformimit të sistemit është ndryshimi i vetëpërceptimit individual në rrjetë (pra sistem), nga rob i tagutit (idhullit të rremë) në rob të Zotit (Krijuesit dhe Furnizuesit të vërtetë), e kjo vjen pas konkretizimit të qartësisë së besimit. Më pas të besosh në vete se mund t’ia dalësh në mënyrë proaktive për të ndërtuar segmentin tënd të alternativës së ndryshimit reformues, i cili nuk merret duke prishur rrjetën, por punon për të ndërtuar “pendën” mbi themele të forta dhe material solid. Zoti e ka quajtur shtëpia më e dobët sepse çdo ndërmarrje e cila ngrihet mbi të pavërtetën dhe përkohësinë dhe materien e përkohshme është në thelb e dobët dhe e dështuar, gjithnjë e vogël dhe e pafuqishme përballë të mirës së organizuar dhe zbulimit të së vërtetës. E keqja e organizuar sado e madhe, s’ka për ta mposhtur kurrë të mirën edhe kur ajo është në kulmin e dobësisë së saj (për shkak të përçarjes, mbulimit, manipulimit të saj). { وَقُلۡ جَآءَ ٱلۡحَقُّ وَزَهَقَ ٱلۡبَٰطِلُۚ إِنَّ ٱلۡبَٰطِلَ كَانَ زَهُوقٗا }
Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”! Isra, 81

“E kur organizohet e mira, njësoj siç bëri kur u ngrit e keqja, ajo s’ka destin veçse të fshihet dhe zhduket, sikur të mos kishte ekzistuar fare (si “shtëpia më e dobët”) që përshkruan Kur’ani (pa themele, pa lidhje të forta, pa shtylla-parime) pa esencë, vetëm fasadë mirazhi mashtrues.

Ibrahim Xhepmetaj

Exit mobile version