Nga çuditë që ndodhin në jetën e një pjese të muslimanëve është se gjen prej tyre që kujdesen për agjërimin e Ramazanit, por fatkeqësisht nuk kujdesen për faljen e namazit!
Ramazani ka një madhështi dhe shenjtëri të thellë në shpirtrat e njerëzve, të trashëguar brez pas brezi; ndaj askush nuk guxon ta shkelë atë, përveç një të shthururi… që rrezikon të mos ketë pothuajse asnjë pjesë nga Islami.
Nuk ka dyshim se namazi është më i madh në peshoren e fesë sesa agjërimi. Ai është adhurimi i parë dhe shtylla e Islamit, kufiri ndarës mes muslimanit dhe jobesimtarit. Mirëpo padituria, pakujdesia dhe dashuria për dynjanë kanë bërë që disa njerëz ta neglizhojnë rëndësinë dhe pozitën e namazit në Islam, deri në atë pikë sa disa prej tyre jetojnë tërë jetën pa iu përkulur Allahut qoftë edhe një ditë në ruku!
Dhe kështu, në çdo Ramazan, përballemi me këtë pyetje të përsëritur: Cili është gjykimi për atë që agjëron, por nuk fal namaz?
Sa i përket atij që thotë se lënësi i namazit është jobesimtar, siç është kuptimi i jashtëm i disa haditheve, dhe siç është transmetuar nga një numër sahabësh dhe dijetarësh, si Ahmed ibn Hanbeli, Is’hak ibn Rahavejhi dhe të tjerë; fetvaja e tij në këtë çështje është e qartë: ai mendon se agjërimi i tij është i pavlefshëm, sepse ai është jobesimtar për shkak të lënies së namazit, dhe agjërimi nuk pranohet nga jobesimtari.
Ndërsa ai që ndjek mendimin e shumicës së dijetarëve, si nga të parët ashtu edhe nga të mëvonshmit, se lënësi i namazit është mëkatar (fasik), por jo jobesimtar, dhe se Allahu nuk ia humb veprën asnjë vepruesi dhe nuk i bën padrejtësi as sa një grimcë: “E kush bën sa pesha e një grimce të mirë, do ta shohë atë. Dhe kush bën sa pesha e një grimce të keqe, do ta shohë atë.”[1] Ai mendon se ky person mban përgjegjësi për lënien e namazit, por shpërblehet për kryerjen e agjërimit; dhe se dënimi për lënien e një obligimi nuk e shfuqizon shpërblimin për kryerjen e një tjetri. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne do të vendosim peshoret e drejta në Ditën e Kiametit, dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi në asgjë; edhe nëse është sa pesha e një kokrre sinapi, Ne do ta sjellim atë. Dhe Ne mjaftojmë si llogaritës.”[2]
E nëse e shikojmë nga ana praktike dhe arsimore, çfarë përfitimi ka nëse i themi agjëruesit që nuk ka bërë namaz: “Agjërimi yt nuk ka vlerë, nuk do të marrësh shpërblim”? Ndoshta kjo mund ta shtyjë atë që të lërë agjërimin, ashtu siç ndodh me namazin, dhe kështu do të prishej edhe e fundit fije që e lidhte me fenë përmes obligimeve dhe adhurimeve, madje mund ta shtyjë aq larg nga feja sa të mos kthehet më kurrë!
Më e përshtatshme dhe më bindëse është t’i themi: “Allahu të shpërbleftë për agjërimin tënd! Por duhet të plotësosh islamin tënd me atë që është më e madhe se agjërimi, dhe kjo është namazi. Ti ke duruar ndaj urisë dhe etjes, dhe e ke bërë këtë për kënaqësinë e Allahut; pse të jesh i mërzitur që të ecësh me besimtarët dhe të bësh ruku me ata që bëjnë ruku, gjithçka për kënaqësinë e Allahut?!”
Të mbash këtë fije që e lidh me islamin, edhe pse vetëm një muaj në vit, është më mirë se ta presësh pa asnjë zëvendësim. Dhe më mirë një dobësi e kufizuar se sa verbëri totale, në çdo rast.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Zelzele: 7 – 8.
[2] – Sure Enbija: 48.
