Ne jemi të obliguar ta adhurojmë Allahun në formën dhe mënyrën që Ai e do më së shumti, jo ashtu siç na pëlqen neve. Mirëpo, në jetën tonë të përditshme, shpesh ndodh që adhurimin ta përshtatim me dëshirat tona: zgjedhim atë që na duket më e lehtë, më e këndshme dhe që na jep ndjenjë të menjëhershme qetësie.
Kjo gjendje vërehet qartë në zellin tonë për disa vepra të mira në vetvete, si namazi i natës në xhemat gjatë Ramazanit, shkuarja në Umre disa herë radhazi, apo edhe kryerja e Haxhit më shumë se një herë. Këto janë vepra të mëdha dhe të lavdërueshme, por problemi lind kur, krahas tyre, neglizhojmë atë që Allahu e do më shumë prej nesh në atë moment.
Nga ana tjetër, shpesh harrojmë adhurime që mund të jenë më të rëndësishme dhe madje detyrim për ne, si:
• kujdesi për të varfrit,
• përkujdesja për jetimët,
• ndihma për nevojtarët,
• kontributi në përhapjen e së mirës, dhe
• mbështetja e projekteve që i shërbejnë shoqërisë.
Allahu i Lartësuar na tërheq vëmendjen për një rrezik shumë të madh:
“A e ke parë atë që e ka marrë epshin e vet për zot?”
(El-Furkan, 43)
Po ashtu, Muhamedi a.s. ka thënë:
“Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që bëhet rregullisht, edhe nëse është e pakët.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Ndërsa dijetarët kanë përmbledhur një parim të madh:
“Adhurimi më i mirë është ai që kryhet në kohën e vet.”
Ibn Kajjimi ka thënë:
Adhurimi më i mirë është të veprosh për kënaqësinë e Zotit në çdo kohë, sipas asaj që kërkon ajo kohë dhe detyrës së saj.
Medarixh es-Salikin.
Kjo do të thotë se çdo kohë ka adhurimet dhe prioritetet e saj, dhe suksesi qëndron në njohjen dhe respektimin e tyre.
Nëse ne vazhdojmë të zgjedhim vetëm ato adhurime që na kënaqin neve dhe të lëmë pas dore ato që Allahu i ka bërë më prioritare, atëherë rrezikojmë që adhurimi ynë të mos jetë për Të, por për veten tonë.
E vërteta që dhemb është kjo: ne nuk e besojmë botën tjetër aq sa e besojmë këtë botë. Prandaj nuk hezitojmë të shpenzojmë për kënaqësitë tona të menjëhershme, por hezitojmë shumë herë kur vjen puna për të dhënë në rrugë të së mirës. Ky është një tregues i fortë se sa ndikim kanë dëshirat tona mbi vendimet tona.
Le të ndalemi për një çast dhe ta pyesim veten me sinqeritet:
A jemi duke e adhuruar Allahun, apo duke i shërbyer vetes nën maskën e adhurimit?
Hoxhë Korab Hajraj
