Ballina Artikuj Adhurimi i Allahut rruga drejt lirisë

Adhurimi i Allahut rruga drejt lirisë

Dr Jusuf Kardavi (r.a)

Adhurimi i pastër vetëm për Allahun është – në thelb – vetë liria, dhe rruga drejt sovranitetit të vërtetë. Vetëm ai adhurim e çliron zemrën nga robëria e krijesave dhe e shpëton prej poshtërimit dhe nënshtrimit ndaj çdo gjëje tjetër përveç Allahut: ndaj llojeve të ndryshme të idhujve dhe tiranëve që i robërojnë njerëzit dhe i skllavërojnë më shumë se çdo skllavëri tjetër, edhe nëse ata – për nga pamja e jashtme – duken si zotër të lirë!

Në zemrën e njeriut ekziston një nevojë e natyrshme për një Zot, një Hyjni, një të adhuruar, ndaj të cilit të lidhet, t’i drejtohet dhe kërkojë kënaqësinë e Tij. Nëse ky i adhuruar nuk është Allahu Një dhe i Vetëm, atëherë ai endet në adhurimin e shumë idhujve e zotërve të tjerë: prej atyre që shihen dhe atyre që nuk shihen, prej atyre që kanë mendje dhe atyre që nuk kanë mendje, prej atyre që ekzistojnë dhe atyre që nuk ekzistojnë veçse në imagjinatë dhe iluzion.”

Dhe nuk ka asgjë më fisnike për njeriun e mençur sesa të adhurojë Atë që e krijoi, e drejtoi dhe e përsosi, duke hedhur poshtë adhurimin e gjithçkaje tjetër përveç Tij.

Po ashtu, nuk ka asgjë që i sjell atij lumturi më të plotë dhe qetësi të ndërgjegjes sesa të drejtojë përpjekjen e tij drejt një Zoti të vetëm, të cilit ia kushton nënshtrimin dhe dashurinë e tij, që zemra të mos i copëtohet mes hyjnive dhe zotërve të rremë: “Allahu sjell një shembull: një njeri që ka ortakë kundërshtues dhe një tjetër që i përket vetëm një zotërie. A janë të barabartë këta të dy?”[1]

Robi që i përket një Zoti të vetëm është i qetë: ai e di çfarë e kënaq Zotin e tij dhe e kryen këtë me lehtësi dhe gëzim. Ndërsa robi që zotërohet nga ortakë kundërshtues – ku njëri i urdhëron të kundërtën e tjetrit – sa i mjerë dhe sa fatkeq është!”

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Zumer: 29.

Exit mobile version