Ballina Artikuj Pyetje – përgjigje rreth zekatit

Pyetje – përgjigje rreth zekatit

1 – Përse zekati nuk mund të krahasohet me asnjë sistem tjetër?

Sepse buron prej Zotit, ofron zgjidhje për të gjitha çështjet pasurore dhe sepse ai është njëkohësisht fe edhe adhurim.

2 – Cilat janë arsyet se përse duhet dhënë zekati?

Arsye fetare, arsye që kanë të bëjnë me botën tjetër, arsye financiare, arsye shpirtërore dhe arsye sociale.

3 – Cilat janë arsyet fetare të dhënies së zekatit?

Bindja ndaj urdhërit të Allahut të Madhëruar dhe fitimi i mëshirës së Allahut të Madhëruar.

4 – Cilat janë arsyet që kanë të bëjnë me botën tjetër të dhënies së zekatit?

Dhënia e zekatit është argument i besimit, shpëtimi nga vuajtjet në botën tjetër, shkak për fitimin e Xhenetit, qëndrimi nën hijen e Arshit në Ditën e Kiametit, shtimi i sevapeve dhe është mburojë nga Zjarri.

5 – Cilat janë arsyet financiare të dhënies së zekatit?

Pastrim për pasurinë dhe shtimi i pasurisë

6 – Cilat janë arsyet shpirtërore të dhënies së zekatit?

Dhënia përparësi dashurisë për Allahun kundrejt dashurisë për paranë nga ana e njeriut, kultivimi i respektit e dashurisë mes njerëzve dhe Allahu ia lehtëon problemet atij që jep zekatin.

7 – Cilat janë arsyet sociale të dhënies së zekatit?

Shërimi nga sëmundjet, tregues i vëllazërisë mes muslimanëve dhe forcimi i solidaritetit midis muslimanëve.

8 – Çfarë kuptojmë me fjalën zekat në terminologjinë e sheriatit?

Një sasi e caktuar pasurie, të cilën Allahu i Madhëruar ia ka obliguar të pasurve për t’ia dhënë atë atyre që e meritojnë.

9 – Për ka qenë zekati detyrë?

Zekati ka qenë detyrë për profetët e mëparshëm dhe për popujt e tyre, ashtu siç është detyrë edhe për umetin e Muhamedit (a.s).

10 – Cili është gjykimi për Zekatin?

Zekati është shtylla e dytë praktike e Islamit – pas namazit – madje është bashkëshoqëruesi i tij. Kush e mohon zekatin, del nga feja, ndërsa kush plotëson kushtet për ta dhënë atë dhe nuk e jep atë është mëkatar i madh.

11 – Kur është bërë obligim zekati?

Zekati është bërë obligim në vitin e dytë të Hixhretit në Medine.

12 – Si është raporti i zekatit me Kuranin dhe Sunetin?

Në Kuranin fisnik, zekati është përmendur si dispozitë e përgjithshme ndërsa në Sunetin profetik është shpjeguar me detaje.

13 – Cili është ndëshkimi për atë që refuzon të japë zekatin?

Ai i cili nuk e jep zekatin, do të ndëshkohet tek Allahu dhe pasuria e tij do të jetë ndëshkim për të në botën tjetër.

14 – Cili është argumenti nga Kurani që e obligon dhënien e zekatit?

Allahu i Madhëruar thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë (zekatin) që t’i pastrosh me të dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta, Allahu është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” Sure Teube: 103.

15 – Cili është argumenti nga Suneti profetik që e obligon dhënien e zekatit?

Profeti (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: shehadeti se nuk zot tjetër përpos Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhe kryerja e Haxhit për atë që ka mundësi.” Buhariu dhe Muslimi.

16 – Cilat janë llojet e pasurive prej të cilave duhet të jepet zekat?

Zeakti i arit, argjendit dhe parave, zekati i bizhuterive, zekati i prodhimeve bujqësore, zekati i mjaltit, zekati i prodhimeve blegtoriale, zekati i mallrave tregtare, zekati i borxhit, zekati i rrogave, zekati i profesioneve të lira, zekati i përfitimeve nga dhënia me qera e apartamenteve, makinave..etj, zekati i aksioneve, zekati i bonove të thesarit, zekati i gjësë së gjallë dhe zekati i pasurive nëntokësore.

17 – Cilat janë kushtet e plotësimit të një pasurie prej të cilës duhet të jepet zekati?

Të arrihet sasia e përcaktuar (Nisabi). Të kalojë një vit i plotë hënor nga çasti që arrihet kjo sasi e përcaktuar. Pasuria për të cilën jepet zekat duhet të jetë mbi nevojat e domosdoshme të njeriut për jetesë. Personi duhet ta ketë plotësisht në zotërim këtë pasuri dhe nuk duhet të ketë borxhe ndaj të tjerëve.

18 – Cili është gjykimi i dhënies së zekatit të arit, argjendit e parave dhe cili është argumenti i këtij gjykimi?

Zekati i arit, argjendit dhe parave është farz. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Ata të cilët e depozitojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut lajmëroi për një dënim të dhembshëm.” Sure Teube: 34.

19 – Sa është sasia e përcaktuar (nisabi) i arit dhe argjendit prej të cilës duhet me dhënë zekat?

Sasia e përcaktuar (nisabi) për arin është 85 gr, kurse për argjendin është 595 gr.

20 – Si duhet të llogaritet sasia e përcaktuar (nisabi) për dhënien e zekatit të parave në varësi të nisabit të arit apo të argjendit?

Në lidhje me këtë pikë, juristët ndajnë dy mendime: një palë thotë se llogaritet me nisabin e argjendit dhe pala tjetër me nisabin e arit.

21 – Sa përqind të pasurisë duhet dhënë nga zekati i arit, argjendit dhe parave

2,5%, ose pasuria pjestohet me 40.

22 – A është obligim dhënia e zekatit të bizhuterive?

Në lidhje me bizhuteritë dijetarët ndajnë tre mendime: pala e parë mendojnë se është obligim, pala e dytë mendojnë se nuk është obligim, pala e tretë mendojnë se zekati për to jepet kur janë të tepruara dhe jashtë normales. Ndoshta mendimi më i saktë është mendimi i palës së parë.

23 – Kush e ka për detyrë ta japë zekatin e bizhuterive?

Për ta dhënë zekatin e bizhuterive e ka gruaja për detyrë, përveçse në rastin kur burri e jep atë në emër të gruas së tij nga pasuria e tij personale.

24 – Cili është gjykimi i dhënies së zekatit të prodhimeve bujqësore dhe cili është gjykimi për këtë lloj zekati?

Zekati i prodhimeve bujqësore është farz. Argument për këtë është ajeti kuranor: “Ai është i Cili i krijoi kopshte të ngritura lart dhe të rrafshta, edhe hurmat dhe drithërat me frute të ndyshme, ullinjtë dhe shegët e ngjashme dhe jo të ngjashme. Hani frutat e tyre, kur të piqen dhe ditën e korrjes së frutave, jepeni atë pjesë që është obligim…” Sure En’am: 141.

25 – A jepet zekat për çdo prodhim bujqësor?

Në lidhje me këtë dijetarët ndajnë dy mendime: pala e parë: zekati jepet për çdo gjë që mbin nga toka dhe kultivohet në bujqësi me përjashtim të barit, jonxhës, drurit..etj. pala e dytë: Zekati nuk jepet vetëm se për disa prodhime bujqësore, si gruri, elbi, hurma (arabe) dhe rrushi i thatë. Mendimi i parë është më i saktë.

26 – Sa është sasia e përcaktuar (nisabi) për prodhimet bujqësore?

625,5 kg.

27 – A duhet të kaloj një vit i plotë hënor pasi të plotësohet sasia e caktuar (nisabi) që të jepet zekat për prodhimet bujqësore, frutat … etj?

Nuk është kusht që të kalojë një vit i plotë hënor, në momentin që kjo sasi arrihet zekati duhet të jepet.

28 – Në cilën fazë të prodhimit bujqësor, frutave, zekati duhet të jepet?

Është obligim të jepet zekati i prodhimeve bujqësore, frutave…etj, në momentin kur ato piqen dhe nuk kanë rrezik të prishen.

29 – Sa është sasia e zekatit që duhet të jepet për prodhimet bujqësore, frutave…etj?

Nëse toka vaditet nga shiu apo burime të tjera (por jo nga bujku), atëherë jepet 10% e prodhimit.

Nëse toka vaditet me mjetet e bujkut, atëherë jepet 5% e prodhimit.

Nëse toka vaditet gjysmë viti nga shiu dhe gjysmë viti nga mjetet e bujkut, atëherë jepet 7,5% e prodhimit.

30 – A duhet të jepet zekat për mjaltin?

Në lidhje me këtë dijetarët ndajnë dy mendime: mendimi i parë nuk është obligim, mendimi i dytë duhet të jepet. Ndoshta mendimi i dytë është më i saktë.

31 – Sa është sasia e përcaktuar (nisabi) e mjaltit?

610 kg

32 – Sa është sasia e zekatit që jepet nga mjalti?

10%.

33 – Nëse mjalti tregtohet a ka zekat?

Është i ditur fakti që zekat jepet për çdo produkt që përdoret për tregti, sipas kushteve të produktve tregtare.

34 – A ka zekat të produkteve blegtorale si qumështi, vezët..etj dhe sa është sasia e përcaktuar (nisabi) për to?

Po zekati i prodhimeve blegtorale si qumështi, vezët..etj duhet të nxirret. Dijetarët ndajnë dy mendime në lidhje me sasinë. Një mendim është se ato konsiderohen si produkt tregtar dhe mendimi i dytë se konsiderohen me peshë si në rastin e prodhimeve bujqësore.

35 – Cili është gjykimi për zekatin e mallrave tregtare?

Zekati i mallrave tregtare është farz.

36 – Cili produkt konsiderohet mall tregtie?

Mall konsiderohet çdo gjë që blihet për t’u tregtuar qoftë edhe një herë të vetme. Këtu përfshihen edhe profesione, që i shërbjenë tregtisë, me kusht që të plotësohen kriteret e përcaktuara për zekatin e mallrave tregtare.

37 – Cili është argumenti për obligueshmërinë e zekatit të mallrave tregtrarë?

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuar, jepni nga më e mira që e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete përveçse symbyllurazi. E dijeni se Allahu s’ka nevojë për ju. Ai është i Pasuri dhe i Lavdëruari” Sure Bekare: 267.

38 – Cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë mallrat tregtare për të dhënë zekatin?

Arritja e sasisë së përcaktuar (nisabi)

Të ketë kaluar një vit i plotë hënor nga momenti i arritjes së nisabit

39 – Sa është sasia e zekatit që duhet të jepet për mallrat tregtare?

2,5%.

40 – Çfarë nuk futet në listën e mallrave tregtare, për të cilat duhet të jepet zekati?

Përjashtohen: ambienti ku mbahet apo prodhohet malli, mobiljet dhe mjetet e tjera që përdoren për tregti.

41 – Si duhet ta llogarisë tregtari zekatin e mallrave?

Tregtari duhet të përcaktojë një ditë në vit për të dhënë zekatin e mallrave, për shkak se është e vështirë të përcaktohet dita ekzakte për çdo mall.

Ai e bën pëllogaritjen në këtë formë pasi iventarizon çdo mall që ka në gjendje, i llogarit të gjitha me çmimin e tregut (në momentin e dhënies së zekatit), pastaj shton edhe paratë që ka në gjendje, llogarit taksat, borxhet që të tjerët i kanë, por edhe borxhet që ka ndaj të tjerëve. Pasi i shlyen të gjitha detyrimet që ka, ai jep 2.5 % të shumës së mbetur, nëse është arritur Nisabi.

42 – A jepet zekat për sigurimet tregtare, që tregtari i depoziton pranë institucioneve përkatëse për të siguruar aktivitetin e tij?

Ai duhet ta bashkojë shumën që e ka depozituar si element sigurie me shumën që i del nga përllogaritja totale që bën për mallrat tregtare…etj, dhe më pas jep 2.5 % të krejt shumës.

43 – Si duhet të japë zekat tregtari nëse ka aktivitete tregtare në sektorë të ndryshëm?

Në këtë rast, ai bashkon të gjitha llogaritë e aktiviteteve të tij tregtarë dhe nëse shuma arrin Nisabin atëherë jep zekatin.

44 – Si duhet ta japë zekatin tregtari nëse gjatë vitit, ai ndryshon llojin e tregtisë?

Ndryshimi i llojit të tregtisë nuk ndikon në dhënien e Zekatit. Nëse Nisabi është arritur, atëherë ai duhet ta japë atë.

45 – Si veprohet në rastin tregtari nuk ka xhiro (mallrat nuk i shiten) dhe ai nuk ka para për të dhënë zekat?

Në këtë rast, atij i lejohet të japë zekat nga malli që shet me kusht që të plotësojë nevojat e nevojtarit.

46 – Dikush i plotëson kushtet e dhënies së zekatit të mallrave, por që nga momenti që i plotëson këto kushte dhe deri në ditën që jepet zekati vlera e mallit ndryshon. Cili çmim duhet të merret për bazë?

Për bazë merret çmimi i mallrave në momentin që personi plotëson kushtet e dhënies së zekatit.

47 – Mjetet me të cilat ambalazhohen mallrat tregtare, a konsiderohen si pjesë e pasurisë për të cilën duhet me dhënë zekat?

Nëse këto mjete janë blerë me qëllim tregtie, atëherë jepet zekat

Nëse këto mjete nuk janë blerë me qëllim tregtie, kemi dy raste

Rasti i parë: Nëse këto e rrisin vlerën e mallrave, atëherë ato i bashkangjiten vlerës tjetër të mallrave

Rasti i dytë: Nëse nuk e rrisin, atëherë nuk jepet zekat për to.

48 – Nëse i ke dhënë dikujt borxh dhe shpreson që ta marrësh, a duhet të japësh zekat për të?

Dijetarët japin dy mendime të ndryshme, ndoshta mendimi më i saktë është se ai merret në konsideratë dhe si rrjedhojë duhet me dhënë zekat, pra ky lloj borxhi shtohet së bashku me paratë e tjera.

49 – Nëse i ke dhënë dikujt borxh, por nuk shpreson se do i marrësh, a duhet të japësh zekat për të?

Në këtë rast nuk jepet zekat, vetëm në rastin kur e posedon në dorë borxhin që ke dhënë.

50 – A e ka për detyrë ai që merr borxh të japë zekat?

Në lidhje me këtë ka dy mendime; Mendimi i parë: Ata dijetarë që mendojnë se zekati është adhurim i mirëfilltë thonë se borxhmarrësi duhet të japë zekat. Mendimi i dytë: Ata dijetarë që mendojnë se zekati është e drejtë të varfëve atëherë borxhmarrësi nuk duhet të japë zekat.

51 – A duhet të japë zekat ai që është rrogtar?

Mendimi më i saktë është se ai që është rrogtar, që e ka përmbushur sasinë e nisabit dhe i ka plotësuar nevojat e përditshme duhet të japë zekat.

52 – Çfarë kuptojmë me profesion të lirë dhe a jepet zekat për të?

Termi profesion i lirë përfshin profesione/zanate si mjek, inxhinier, rrogaqepës, marangoz, llogaritar…etj. Mendimi më i saktë është se duhet të jepet zekat për të.

53 – Si jepet zekati i aksioneve?

Dijetarët thonë se zekati që jepet për aksionet përllogaritet me vlerën e aksioneve në bazë të çmimit në fund të çdo viti hënor, duke i bashkuar vlerës së aksioneve edhe fitimet nëse arrin nisabin. Pasi ka arritur nisabin, duke i bashkuar këto aksione me pasuritë e tjera të aksionerit, atëherë pasi ka shlyer të gjitha borxhet, detyrimet dhe nevojat jetësore, duhet të japë 2,5% të vlerës së mbetur.

54 – A jepet zekat për bonot e thesarit?

Disa dijetarë janë të mendimit se bonot janë borxh, prandaj duhet të jepet zekat për to, njësoj si për zekatin e borxhit. Zekati jepet vetëm për vlerën reale të bonove. Sipas shumicës së dijetarëve, zekati për borxhin e sigurt jepet çdo vit, ndërsa për fajdet (me kamatë) nuk jepet zekat, por njeriu duhet të pendohet.

55 – Cili është argumenti për obligimin e dhënies së zekatit për gjënë e gjallë?

Profeti (a.s) ka thënë: “Për devetë duhet të jepet zekat, për delet duhet të jepet zekat, për dhitë duhet të jepet zekat.” Buhariu.

56 – Cilat janë llojet e bagëtive për të cilat duhet të jepet zekat?

Devetë, lopët dhe bullicat, delet dhitë.

57 – Cilat janë kushtet që duhet të plotësohen për dhënien e zekatit të bagëtive?

Të ushqehen në vende të hapura dhe jo në ferma (në shumicën më të madhe të vitit)

Arritja e sasisë së përcaktuar

Kalimi i një viti të plotë hënor. Përsa i përket kafshëve që lindin para se të mbushet viti i plotë hënor, nuk është kusht që të pritet sa të kalojë edhe një vit tjetër, por jepet zekat për të vegjlit bashkë me të mëdhatë.

Të mos jetë kafshë pune, apo që përdoren për nevoja personale

58 – Sa është nisabi i deveve dhe sa duhet të jepet zekat për to?

Nga 5 – 9 deve jepet 1 dele

Nga 10 – 14 deve jepen 2 dele

Nga 15 – 19 deve jepen 3 dele

Nga 20 – 24 deve jepen 4 dele

Nga 25 – 35 deve jepet 1 deve një vjeçare

Nga 36 – 45 deve jepet 1 deve dy vjeçare

Nga 46 – 60 deve jepet 1 deve katër vjeçare

Nga 61 – 75 deve jepet 1 deve pesë vjeçare

Nga 76 – 90 deve jepen 2 deve tre vjeçare

Nga 91 – 120 deve jepen 2 deve pesë vjeçare

Pas këtij numri për çdo 40 deve jepet 1 deve dy vjeçare dhe për çdo 50 deve një deve katër vjeçare.

59 – Sa është nisabi i lopëve dhe sa duhet të jepet zekat për to

Nga 30 – 39 jepet 1 viç (femër ose mashkul) që ka mbushur një vjeç

Nga 40 – 59 jepet 1 mështjerrë ose një mëzat që ka mbushur dy vjeç

Nga 60 – 69 jepet 2 viça që kanë mbushur një vjeç.

Nga 70 – 79 jepet 1 mështjerrë dhe 1 viç që ka mbushur një vjeç

Nga 80 – 89 jepen 2 mështjerra ose 2 muzetër

Nga 90 – 99 jepen 3 viça që kanë mbushur 1 vit

Nga 100 – 109 jepen dy mështjerra ose 2 muzetër dhe 1 viç që ka mbushur një vjeç

Nga 110 – 119 jepen 3 mështjerra ose 3 muzetër dhe 1 viç që ka mbushur një vjeç

Pas këtij numri për çdo 30 lopë jepet 1 viç që ka mbushur një vjeç dhe për çdo 40 lopë jepet 1 mështjerrë ose 1 mëzat që ka mbushur 2 vjeç.

60 – Sa është nisabi i bagëtive të imëta dhe sa zekat duhet dhënë për to?

Nga 40 – 120 jepet 1 dele ose dhi

Nga 121 –200 jepet 2 dele ose dhi

Nga 201 – 299 jepet 3 dele ose dhi

Nga 300 – 399 jepet 4 dele ose dhi

Nga 400 – 499 jepet 5 dele ose dhi

Nga 500 – 599 jepet 6 dele ose dhi

Nga 600 – 699 jepet 7 dele ose dhi

Pas këtij numri për çdo 100 kokë jepet 1 dele ose dhi.

61 – A jepet zekat për pasuritë nëntokësore?

Për çdo pasuri që del nga toka qoftë e ngurtë apo e lëngët jepet zekat. Sasia e zekatit që jepet për to është 20%.

62 – A është obligim që Zekati të jepet menjëherë?

Po, nëse plotësohen kushtet.

63 – A jepet zekat për pasurinë e lënë Vakëf për të varfërit, xhamitë apo jetimët?

Nuk jepet zekat për pasuritë e lëna Vakëf, për të varfërit, xhamitë apo jetimët, sepse e gjitha kjo konsiderohet si dhuratë për hatër të Zotit.

64 – A lejohet autorizimi në dhënien e zekatit?

Po, me kusht që pronari i pasurisë ta bëjë nijet për diçka të tillë.

65 – Çfarë dispozite ka për mashtrimet që mund të bëjnë njerëzit për t’i bërë bisht dhënies së zekatit?

Çdo mashtrim është jolegjitim dhe ai që e bën këtë është dyfish mëkatar; 1 – sepse nuk e jep zekatin, 2 – sepse mashtron.

66 – A konsiderohen taksat që i jep shtetit zekat?

Jo, sepse zekati është adhurim.

67 – A jepet zekat, nëse njeriu grumbullon para për të kryer Haxhin ose Umren?

Nëse muslimani grumbullon pasuri për të kryer Haxhin, për t’u martuar…etj, dhe kjo pasuri ka arritur nisabin dhe është plotësuar një vit hënor, atëherë njeriu duhet të japë zekat 2,5% të pasurisë së grumbulluar.

68 – Cilat janë ato pasuri që mund të bashkohen me njëra – tjetrën për të dhënë zekatin?

Të gjitha mallrat tregtarë mund të bashkohen

Paratë, aksionet, bonot e thesarit

Prodhimet bujqësore të një viti me frutat që vilen po atë vit.

Ka debat midis juristëve: nëse lejohet të bashkohet ari me argjendin.

Bashkimi i gjësë së gjallë nuk lejohet, si për shembull i devesë me delet.

69 – Cilët janë kategoritë që përfitojnë nga zekati?

Ata janë tetë kategori; të varvërit, nevojtarët, administra e zekatit, personat të cilëve mund t’iu fitohet zemra, lirimi i robërve, të mbyturit në borxhe, ata që janë në rrugë të Zotit dhe rrugëtari.

70 – Cili është argumenti i përftimit të zekatit nga këto tetë kategori?

Allahu i Madhëruar thotë: “Zekati është vetëm për të varfërit, nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për të tërhequr zemrat e atyre që janë të prirur drejt Islamit, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për ata (luftëtarët) në rrugën e Zotit dhe për udhëtarët e mbetur në rrugë. Këto janë detyrat e vëna nga Zoti.” Sure Teube: 60.

71 – Kush konsiderohet i varfër dhe kush konsiderohet nevojtar?

I varfër konsiderohet ai njeri që është nevojtar por që nuk lyp, apo që nuk ka asgjë, ose ka por nuk plotëson dot nevojat bazë.

Nevojtar konsiderohet ai cili del dhe lyp për të plotësuar nevojat e tij.

72 – A i jepet zekati dikujt që dëshiron të martohet?

Po lejohet, por duhen patur parasysh disa rregulla: Muslimani nuk duhet të shpërdorojë shumë në shpenzime, të pasurit nuk duhet ta bëjnë traditë dhënien e zekatit të afërmëve të tyre dhe të merret për bazë parimi i përparësisë.

73 – Kush përfshihen tek administrata e zekatit?

Bëjnë pjesë ata të punësuar që merren me mbledhjen, përllogaritjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e zekatit.

74 – Çfarë kushtesh duhet të plotësojë nënpunësi i administratës së zekatit?

Të jetë musliman, të jetë i aftë mendërisht dhe juridikisht, të jetë i besueshëm, të dijë rregullat e zekatit dhe të jetë i aftë për punën që do të kryejë.

75 – Çfarë është qëllimi me personat të cilëve u fitohet zemra?

Bëhet fjalë për ata persona që dëshirojnë të hyjnë në Islam, ose persona që kanë hyrë në Islam, por besimin e kanë akoma të dobët. Në këtë kategori hyjnë edhe kundërshtarët e Islamit, të cilët nuk i luftojnë muslimanët, po ashtu edhe atyre që shpresohet se do t’ju vijnë muslimanëve në ndihmë.

76 – Çfarë është qëllimi me lirimin e robërve?

Në këtë kategori bëjnë pjesë skllevërit, të burgosurit muslimanë që gjenden në duart e jomuslimanëve dhe popujt e shtypur e të pushtuar që duan të fitojnë lirinë.

77 – Çfarë është qëllimi me të mbyturin në borxhe?

I mbytur në borxhe është ai person që ka borxhe dhe nuk mund t’i shlyejë ato. Borxhi mund të jetë për interesa vetjake por edhe të tjerëve.

78 – A i jepet zekat borxhliut që ka marrë borxhe për shkak të alkoolit, bixhozit, kamatës..etj?

Jo, nuk lejohet.

79 – Cili është qëllimi “në rrugë të Zotit”?

Ky term përfshin xhihadin me kuptimin e tij të përgjithshëm, pra atë luftarak, të fjalës, edukimit të Umetit, përpjekjen për ta rikthyer umetin në pozitën e drejtuesit në Tokë.

80 – Çfarë është qëllimi me rrugëtar?

Rrugëtar është ai person i cili ka mbetur në një vend të huaj dhe nuk ka mundësi të kthehet në vendin e tij, megjithëse mund të jetë i pasur në vendin e tij.

81 – Cilët janë kategoritë e njerëzve të cilët nuk përfitojnë zekat?

Ata janë pesë; jomuslimanët, të aftët për punë, të pasurit, familjarët (bashkëshortes, prindërit dhe fëmijët) dhe familja e pasardhësit e fisit të Profetit Muhamed (a.s). Shumica e dijetarëve janë të mendimit se i lejohet gruas që t’i japë zekatin bashkëshortit të saj.

82 – A duhet të jepet zekati tek të gjithë kategoritë e përfituesve?

Mjafton që t’i japësh vetëm një kategorie.

83 – A duhet bërë nijeti në momentin e dhënies së zekatit?

Po.

84 – Cilat janë urtësitë dhe objektivat e obligimit të zekatit për të pasurin?

Ato janë shumë, disa prej këtyre urtësive: bindja ndaj Zotit, zbatimi i njërës prej shtyllave të Islamit, mirënjohja ndaj Zotit, kërkimi i shpërblimit, frika nga ndëshkimi, shtypja e egos, pastrimi nga koprracia, etj.

85 – Cilat janë urtësitë e dhënies së zekati të varfërit?

Ato janë të shumta, disa prej këtyre: zgjidhja e hallit të tij, që ai mos të bijë në mëkat, forcimi i dashurisë midis të pasurit dhe të varfërit, pastrimi i zemrës nga urrejtja, etj.

86 – Cilat janë urtësitë e dhënies së zekatit në lidhje me pasurinë?

Ruajtja e saj, pastrimi i saj, largimi i të keqes prej saj, ruajtja dhe humbja e saj për mos t’u shkatërruar, etj.

87 – Cilat janë urtësitë e dhënies së zekatit në lidhje me shoqërinë?

Ruajtja e saj nga ndëshkimi i Zotit, përhapja e të mirës dhe devotshmërisë, kultivimi i solidaritetit midis individëve, etj.

88 – Cilat janë disa prej etikave të dhënies së zekatit?

Besimtari duhet të kuptojë domethënien e zekatit.

Besimtari duhet të nxitojë ta japë atë sa më shpejt.

Besimtari duhet ta japë zekatin në mënyrë të fshehtë.

Besimtari mund ta publikojë dhënien e zekatit në rast motivimi për të tjerët.

Besimtari nuk duk ta japë zekatin duke ofenduar.

Besimtarit nuk duhet t’i pëlqejë vetja kur e jep zekatin.

Besimtari duhet të zgjedhë mallin më të mirë për të dhënë zekat.

Besimtari duhet të kërkojë atë që e meriton më së shumti zekatin.

89 – A ka detyrime të tjera përveç zekatit?

Shpenzimi për vete dhe për ata ndaj të cilëve njeriu është përgjegjës

Kefaretet (shpagimet)

Shpagimi për zotimin

Shpagimi për vrasjen pa dashje

Sadakaja e Fitrit (Vitrat)

90 – Cilët janë ato shpenzime që nëse besimtari i jep nuk konsiderohen obligim?

Sadakaja, kurbani, akika, dhurata…etj.

By: ardhëmëriaonline.com

Exit mobile version