Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Administrata amerikane konsideron pranimin e banorëve të Gazës si refugjatë”

“Administrata amerikane konsideron pranimin e banorëve të Gazës si refugjatë”

Administrata amerikane po shqyrton sjelljen e disa palestinezëve nga Rripi i Gazës në SHBA si refugjatë, transmeton Anadolu.

Siç njoftoi dje CBS News, duke cituar dokumente të brendshme të qeverisë federale, zyrtarë të lartë në disa agjenci federale të SHBA-së kanë diskutuar zbatueshmërinë e opsioneve të ndryshme për të zhvendosur palestinezët nga Gaza, të cilët kanë anëtarë të ngushtë të familjes që janë shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm.

Sipas raportimit, një nga idetë përfshin përdorimin e Programit të SHBA-së për Pranimin e Refugjatëve, për t’u dhënë statusin e refugjatit atyre që kanë arritur të ikin nga Gaza në Egjipt.

Në raportim thuhet se mund të nevojitet koordinimi me Egjiptin për të nxjerrë palestinezë të tjerë nga Gaza dhe për t’i trajtuar ata si refugjatë, nëse ata kanë familjarë amerikanë.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në enklavën palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 34.500 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 77.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version