Ballina Lajmet Kosovë Afër 70% e votave të kandidatëve për deputetë të numëruara-këto janë rezultatet

Afër 70% e votave të kandidatëve për deputetë të numëruara-këto janë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar mëngjesin e sotëm përditësimin e fundit lidhur me procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, votat për kandidatët për deputetë janë numëruar në 69.03 për qind të vendvotimeve, ndërsa është kryer edhe verifikimi i votave për subjektet politike.

Bazuar në rezultatet e deritanishme disa nga kandidatët për deputetë tashmë kanë konsoliduar pozitat e tyre në listat e më të votuarve.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, listës së kandidatëve më të votuar i prin kandidati për kryeministër Albin Kurti me 240 mijë e 263 vota.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, kandidati për kryeministër Bedri Hamza kryeson me 109 mijë e 795 vota, duke u renditur i pari në listën e kësaj partie.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka marrë më së shumti vota, gjithsej 53 mijë e 314.

Ndërkaq, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj prin listën me 27 mijë e 779 vota.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ më 28 dhjetor, radhitja e subjekteve politike është si vijon:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 49.34% apo 433 mijë e 394 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 20.98% apo 184 mijë e 318 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 13.57% apo 119 mijë e 201 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.66% apo 49 mijë e 698 vota

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të numërimit të votave me kusht, votave nga diaspora dhe votave të personave me nevoja të veçanta./

Exit mobile version