Organizata e Energjisë Atomike të Iranit ka dënuar ashpër sulmet ndaj objekteve bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, duke i cilësuar si një “akt barbar” që, sipas saj, shkel ligjin ndërkombëtar dhe posaçërisht Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Në një deklaratë, institucioni tha se këto sulme po ndodhin në mes të një “mosinteresimi dhe madje bashkëpunimi” nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
“Organizata e Energjisë Atomike të Iranit siguron kombin e madh iranian se, pavarësisht komplotimeve të liga të armiqve, me përkushtimin e mijëra shkencëtarëve dhe ekspertëve revolucionarë, nuk do të lejojë që të ndalet rruga e zhvillimit të kësaj industrie kombëtare, që është fryt i gjakut të dëshmorëve bërthamorë,” thuhet në deklaratë. /mesazhi
