Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Agjencia e BE-së kritikon reagimin e rojave kufitare të Greqisë

Agjencia e BE-së kritikon reagimin e rojave kufitare të Greqisë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian për çështjet kufitare kanë deklaruar se Greqia nuk ka reaguar ndaj kërkesës për të dërguar aeroplan për monitorimin e anijes së mbushur me migrantë, e cila u fundos në ujërat greke.

Së paku 82 persona kanë vdekur, por Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se 500 të tjerë janë fundosur bashkë me anijen.

Greqia është përballur me kritika për reagim të dobët ndaj një prej tragjedive më të mëdha në Detin Mesdhe.

Është konfirmuar se në orët e fundit anija nuk kishte lundruar, kontradiktë me pohimet e Greqisë se anija po lundronte sigurt.

Anija e mbushur me migrantë ishte nisur nga Libia dhe po lundronte drejt Greqisë. Ajo është vërejtur nga aeroplani i Frontexit, agjencisë kufitare të BE-së.

Kjo agjenci ka njoftuar se kishte ofruar një aeroplan për ta monitoruar situatën, por rojat bregdetare të Greqisë nuk janë përgjigjur.

Autoritetet greke kanë refuzuar raportimet se nuk kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur tragjedinë, duke u arsyetuar se drejtuesit e anijes kishin insistuar në vazhdimin e lundrimit drejt Italisë.

Më shumë se 100 migrantë janë shpëtuar, por është vlerësuar se në anije ndodheshin 750 migrantë, përfshirë 100 fëmijë.

Exit mobile version