Është një betejë e drejtpërdrejtë mes trupit dhe shpirtit. Gjatë agjërimit trupi vuan dhe kërkon ndihmë po nuk gjen përgjigje. Ndërkohë shpirti mban frerët e kësaj vuajtjeje. Në të vërtetë ky është triumf i shpirtit mbi trupin. Është një triumf i vështirë, dhe i jetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Nëse e përjeton njeriu agjërimin me këtë mënyrë do ta shoh atë si kënaqësi dhe jo vuajtje.
Agjërimi është një zgjedhje e kufizuar vetëm tek njeriu. Të dy, njeriu dhe kafsha, hanë ushqim, por vetëm njeriu është në gjendje të agjërojë. Agjërimi tregon më së qarti ndryshimin midis njeriut dhe kafshës. Konsumimi i ushqimit bëhet sipas nevojës së urgjentë dhe sipas ligjit të natyrës të njeriut ose kafshës, por agjërimi është shprehja më e lartë e vullnetit, është një veprim që jep pavarësi. Kjo liri, pavarësisht nga cilëndo arsye mjekësore, është kuptimi më i madh i agjërimit.
Muslimanët e shohin agjërimin gjatë muajit të Ramazanit si një shprehje e frymës së bashkësisë. Prandaj, ata janë shumë ndjeshëm ndaj shkeljeve publike të kësaj detyre. Agjërimi nuk është vetëm një çështje besimi… nuk është vetëm një çështje personale që i takon vetëm individit, por është një përgjegjësi shoqërore. Ky shpjegim i agjërimit si një simbol fetar nuk është i kuptueshëm për fe të tjera. Agjërimi islam është një njësi që lidh askezën dhe lumturinë, madje edhe kënaqësinë në raste të caktuara… është një nga mjetet më të fuqishme edukative dhe natyrale të praktikimit njerëzor që ekziston edhe sot. Agjërimi praktikohet në pallatet e mbretërve dhe në kullotat e fermave në të njëjtën mënyrë… në shtëpinë e filozofit dhe në shtëpinë e punëtorit. Dhe avantazhi më i madh i tij është se ai praktikohet në mënyrë të vërtetë.
Alija Izetbegoviç
