Një nga dimensionet më të rëndësishme filozofike të agjërimit është funksioni i tij si çlirim nga dominimi i dëshirës. Në jetën e përditshme, njeriu jeton shpesh në formë refleksesh:
• uritet → ha
• dëshiron → kërkon
• zemërohet → shpërthen
Kjo menyre e sjelljes e redukton njeriun në një mekanizëm reagimesh, ku instinkti bëhet autoritet dhe epshi shndërrohet në ligj të brendshëm. Në këtë kuptim, njeriu nuk është i lirë edhe nëse nuk është i detyruar nga jashtë. Ai mund të jetë i lirë juridikisht, por i robëruar psikologjikisht.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi modern: njeriu mund të jetojë në shoqëri të lira, por të mbetet i burgosur brenda vetes. Ai nuk është i shtypur nga ligjet e jashtme, por nga varësitë e brendshme.
Agjërimi ndërhyn pikërisht në këtë pikë: ai e ndërpret zinxhirin automatik të reagimit dhe e detyron njeriun të vendosë mes dëshirës dhe vendimit. Në këtë mënyrë, agjërimi bëhet një “shkollë e vullnetit” dhe një laborator ku ndërtohet fuqia e karakterit.
Kjo logjikë shprehet fuqishëm në ajetin:
„E sa për atë që i frikësohet qëndrimit para Zotit të tij dhe e ndalon veten nga epshi, atëherë Xheneti është strehimi“
(En-Naziat: 40-41)
Pra, agjërimi nuk është mohim i nevojës, por edukim i saj. Ai nuk e zhduk dëshirën, por e vendos atë nën kontrollin e vetëdijes. Kjo është liria e vërtetë: jo mungesa e dëshirës, por aftësia për ta kontrolluar atë.
Në këtë kuptim, agjërimi nuk e ul njeriun në nivel të “durimit pasiv”, por e ngre në nivel të “vendimit aktiv”:
njeriu zgjedh, jo vetëm përmbahet
Hoxhë Halil Avdulli
