Kush përcakton fillimin apo përfundimin e Ramazanit?
Kush e përcakton kohën e iftarit e kush atë të syfyrit?
Të dashur besimtarë!
Asnjëherë gjatë historisë islame nuk ka qenë e drejtë e individit që të shpallë fillimin e muajit të Ramazanit, e as përfundimin e tij për shoqërinë ku ai jeton. Këtë të drejtë e kanë bartur gjithmonë Institucioni i Kalifatit kur myslimanët kishin kalifat, edhe institucionet fetare islame në çdo vend e rajon më pastaj kur s’kishte kalifat! Andaj nuk i përket asnjë individi, qoftë hoxhë apo shkencëtar që të shpallë fillimin e muajit të Ramazanit apo përfundimin e tij.
E nëse pretekst për ta shpallur fillimin e muajit të Ramazanit, dikush e merr faktin se këtë gjë e kanë konfirmuar institucionet fetare në një shtet tjetër, kjo prapë nuk ia jep të drejtën individit që të thotë se e njejta vlen edhe tek ne.
Muhamedi s.a.vs në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. ka thënë: ‘’Agjërimi bëhet kur të agjërojnë (të gjithë), dhe prishja e tij në fund (bëhet) kur ta prishin të gjithë, dhe Bajrami bëhet kur bëjnë Bajram të gjithë’’ (Tirmidhij, Ebu Davud, Ibn Maxheh, e të tjerë).
Imam El Kasanij -juristi Hanefit tha:“Shpallja e agjërimit dhe e prishjes së Iftarit është prej ritualeve publike- të dukshme të Islamit, prandaj është në dorë të prijësit- imamit, siç është në dorën e prijësit edhe namazi i xhumasë dhe i Bajramit.”
Por edhe Imam Merdavij-juristi hanbelit deklaroi:“Çështja e agjërimit dhe prishjes së tij i është lënë imamit dhe ixhtihadit të tij, sepse është prej dispozitave publike që lidhen me xhematin e muslimanëve’’.
Andaj, ata që kanë dilema se kë duhet dëgjuar për fillim të muajit të Ramazanit, në fakt për të njetat pretekste mendojnë se kohën e iftarit e përcakton një hoxhë (prandaj bëjnë iftar 15-20 minuta para kohës së përcaktuar në vakti të Ramazanit), e edhe kohën e mbylljes së syfyrit sipas tyre e përcakton një hoxhë (prandaj ata e shtyjnë syfyrin deri gjysmë ore pas kohës së syfyrit, edhe pasi të ketë hyrë koha e sabahut).
Ndërsa sa i përket llogaritjeve astronomike, se a bën të mbështetemi në to apo jo, mos harroni se ato llogaritje po na tregojnë saktë se kur ndodhë eklipsi i diellit e hënës me vite të tëra përpara se të ndodhin, andaj është absurde të mendohet se nuk e ditkan kur del hëna e re e Ramazanit apo Shevvalit. Po e themi një herë e çartë si e tha njëri prej astronomëve:
“Lëvizjet e Hënës dhe Diellit janë të rregullta dhe të llogaritshme sipas ligjeve matematikore.” Pra ato na thojnë të saktën, vetëm duhet ta njohim këtë fushë!
Këtë dert të Ramazanit, e Bajramit në këto troje e heq për neve Bashkësia Islame e Kosovës, duke qenë përgjegjëse e jetës fetare islame tek ne.
-Allahu na bashkoftë në ibadete e devotshmëri në këtë muaj të mëshirës e të faljes së Tij!
Agjërim të pranuar nga dita e enjte 19 shkurt 2026 e deri ditën e enjte 19 Mars 2026, natën e Bajramit!
Prof. Driton Arifi
