Agon Sadiku është emri i ri që u afrua te Kombëtarja e Kosovës në ndeshjet e muajit nëntor.
Trajneri Alain Giresse e kishte ftuar sulmuesin për dy ndeshjet ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe dhe në të dyja këto takime Sadiku ishte titullar.
Ai kishte kaluar të gjitha grupmoshat te Finlanda dhe u konsiderua si një lojtar i rëndësishëm për ‘Dardanët’, por duket se ai ka përfaqësuar Kosovën vetëm në ato dy ndeshje.
Kjo pasi, 19 vjeçari tani ka vendosur të luajë për Finlandën dhe jo për Kosovën.
Sadiku duket se nuk ka kaluar mirë në Kosovë në grumbullimin e muajit nëntor, pasi një gjë të tillë e thotë vetë në intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Finlandës.
“Do ta shoh si do të jetë ky grumbullim dhe më pas marr vendimin përfundimtar për përfaqësimin e kombëtares. Siç e thashë, ishte pak konfuze dhe nuk kalova mirë atje në Kosovë. Markk Kanerva kishte një plan vërtetë të mirë për të ardhmen time dhe unë i besoj atij”, ka thënë Agon Sadiku.
E deri te thirrja e Sadikut nga Finlanda ka ardhur pas një gabimi nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët nuk i kanë dërguar shkresat siç duhet në FIFA për t’i ndryshuar kombëtaren sulmuesit.
“Sadiku luajti dy ndeshje me Kosovën në nëntor. Por ata nuk e trajtuan siç duhet trajtuar shkresat në FIFA. Agoni ka ende një shans për ta përfaqësuar Finlandën pasi ai në FIFA ende konsiderohet një finlandez”, tha trajneri Markk Kanerva.
“Ne do të kujdesemi për dokumentet dhe në të vërtetë janë dy ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Interesante të shohësh Agonin në radhët tona”, përfundoi ai./
