Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Akte sabotimi godasin hekurudhat në Itali

Akte sabotimi godasin hekurudhat në Itali

Një seri përpjekjesh të dyshuara për sabotim që kishin në shënjestër linjat hekurudhore në Itali kanë ndërprerë trafikun hekurudhor ndërmjet qyteteve, veçanërisht në veri të vendit, ndërsa Italia nisi Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina, transmeton Anadolu.

Sipas mediave lokale, disa linja hekurudhore që lidhin qytetet veriore u shënjestruan në atë që autoritetet po e trajtojnë si sulme të koordinuara. Në zona me turma të mëdha që ndiqnin aktivitetet e lidhura me Olimpiadën, pranë Stacionit të Bolonjës, një nyje kryesore hekurudhore, u gjetën kabllo të prera dhe u zbuluan dy pajisje shpërthyese ndezëse.

Njëra prej pajisjeve ndërpreu trafikun hekurudhor nga Bolonja drejt Venecias, duke shkaktuar vonesa mbi dy orë. Një pajisje e dytë, e cila raportohet se kishte për qëllim sabotimin e linjës Bolonja-Ankona, nuk arriti të shpërthejë, duke parandaluar ndërprerje të mëtejshme.

Një tjetër incident u raportua pranë qytetit Pesaro, ku një devijim hekurudhor në linjën Ankona-Rimini dyshohet se u vu në zjarr, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës hekurudhore.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për incidentet. Megjithatë, sipas raporteve në media, koha e tyre në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, ka ushqyer dyshime për motive anarkiste. Hetimet janë në vazhdim.

Zv/kryeministri dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, tha në rrjetet sociale se prokurorët po hetojnë incidentet nën dyshimin për terrorizëm.

Ndërkohë, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, më herët gjatë kësaj jave tha se disa sulme kibernetike që synonin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina ishin zmbrapsur.

Në një deklaratë më 4 shkurt, Tajani tha se një seri sulmesh kibernetike që kishin në shënjestër zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, faqet e internetit të lidhura me Olimpiadën dhe hotelet në Cortina d’Ampezzo ishin parandaluar, duke shtuar se sulmet ishin me origjinë ruse.

Exit mobile version