Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Akuza e fortë e Londrës. Moska: E pafalshme

Akuza e fortë e Londrës. Moska: E pafalshme

Kremlini i ka cilësuar shokuese dhe të pafalshme akuzat e drejtpërdrejta të Britanisë së Madhe se Vladimir Putin urdhëroi sulmin me agjent nervor në Salisbury.

Deklarata vjen mes përshkallëzimit të tensioneve mes Londrës dhe Moskës, me këtë të fundit që është zotuar të hakmerret me të njëjtën monedhë ndaj dëbimit të 23 diplomatëve nga Britania e Madhe.

Duke folur me gazetarët të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov përgënjeshtroi edhe një herë përfshirjen e Rusisë në helmimin e ish-spiunit të dyfishte Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia.

“Cdo referencë ndaj presidentit tonë është e pafalshme nga këndvështrimi i sjelljes diplomatike”, ishin fjalët e tij. Më herët, ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson u bë i pari që e akuzoi drejtpërdrejt shefin e Kremlinit, duke thënë se urdhri për helmimin e Skripal me shumë gjasë ishte dhënë prej tij.

Ndërkaq mediat britanike që citojnë hetues, raportojnë se agjenti nervor i prodhuar në Rusi ishte fshehur në valixhen e vajzës para se ajo të udhëtonte nga Moska. Po shqyrtohet mundësia që substanca kimike të ketë prekur ndonjë veshje apo dhuratë që është hapur në shtëpinë e Skripal në Salisbury.

Megjithatë nga raportimet e të përditshmes “Telegraph” nuk është e qartë nëse kjo hipotezë bazohet në ndonjë provë konkrete apo nëse është vënë në tryezë mbi bazë të teorisë së përjashtimit.

Ajo që dihet me siguri është se 33-vjeçarja kishte mbërritur në Salisbury pak ditë para helmimit, për të vizituar të atin 66-vjeçar, ish-kolonel i Inteligjencës ushtarake ruse, i cili në vitet 90-të ishte kthyer në agjent të shërbimeve sekrete britanike./Top Channel

Exit mobile version